Lajme

PSD-ja me aksion për 12 punëtorët e vdekur brenda gjashtë muajsh


Partia Socialdemokrate (PSD).

Partia Socialdemokrate (PSD), përmes një aksioni të mbajtur të premten para Qeverisë së Kosovës ka kërkuar llogari për vdekjen e 12 punëtorëve të ndërtimtarisë në vendet e punës brenda gjashtë muajsh.

Përmes këtij aksioni anëtarët e PSD-së në tokë kanë vendosur disa helmeta, e dorëza duke simbolizuar kështu punëtorët e Kosovës.

Anëtarja e PSD-së, Donjeta Demolli, para gazetarëve deklaroi se Qeveria s’ka bërë e as nuk është duke bërë asgjë për përmirësimin e kushteve të punëtorëve.

“Ndërsa punëtorët e ndërtimit punojnë dhjetëra metra mbi tokë pa siguri fizike, me paga të ulta, e pa sigurim shëndetësor. Qeveria e Kosovës nuk e ka lëvizë gjendjen e mjerueshme që e ka gjet, as për një centimetër”.

“Sa ishte opozitar Albin Kurti na fliste për solidaritet e organizim, sot praktikat shfrytëzuese fillojnë në zyrën e tij”, tha Demolli.

Edhe më 20 qershor, PSD-ja kishte reaguar për vdekjen e një punëtori në vendin e punës.

“Për arsyen e njëjtë, për shkak të mungesës elementare të kushteve në punë. Përveç i paguar keq, punëtori në Kosovë është edhe i pambrojtur. Kështu, çdo ditë pune, për secilin punëtor mund të jetë dita e fundit e jetës së tij”, thuhej në komunikatën e PSD-së.

Duke shtuar se, “ky është shteti i mirëqenies që e propagandon Kryeministri Kurti!”.

Ndërsa për PSD-në ky fenomen shqetësues është fytyra e vërtetë e kujdesit të shtetit ndaj shtresës punëtore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore