Lajme

Edhe dy muaj paraburgim ndaj ish-gardianit serb i akuzuar për krime lufte


Gjykata Themelore në Prishtinë.

Edhe për dy muaj ia ka vazhduar Gjykata Themelore e Prishtinës paraburgimin Dragisha Milenkoviç-it, i cili akuzohet për krime lufte kundër popullatës civile, përfshirë keqtrajtimin dhe torturën, gjatë viteve 1998-99, si gardian i Burgut të Pirshtinës dhe Lipjanit.

Më 10 janar, avokati Dejan Vasiç, kishte kërkuar që paraburgimi t’i zëvendësohej me arrest shtëpiak, duke thënë se ai dhe familjarët e të pandehurit mund të betoheshin se Milenkoviç nuk do të largohej nga Graçanica.

Këtë e kishte kundërshtuar prokurori Atdhe Dema, i cili deklaroi se ai, “akuzohet për një vepër të rëndë penale dhe ka mundësi të ikjes në Serbi”.

Milenkoviç, në këtë seancë ishte deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzën për krime lufte kundër popullatës civile, teksa pranoi fajësinë për armëmbajtje pa leje.

Aktakuza ndaj Milankoviç, thotë se nga 24 maj 1999 deri më 10 qershor 1999, në Burgun e Lipjanit, në cilësinë e personit zyrtar dhe në bashkëkryerje edhe me zyrtarë tjerë të burgjeve në fjalë Çimburoviç, Bradiç dhe Iviç, pasi i kanë transferuar të burgosurit shqiptarë nga Burgu i Dubravës në Burgun e Lipjanit.

Fillimisht ata kishin formuar kordon në hyrje të burgut nga të dyja anët, ku të burgosurit ishin detyruar që të kalonin përmes kordonit, e pastaj kishin filluar që t’i godasin me mjete të ndryshme si shkop gome, grushte e shqelma.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pas kësaj në mënyrë sistematike kishin keqtrajtuar të burgosurit shqiptarë, duke torturuar në mënyrë ç‘njerëzore, maltretuar, shkaktuar lëndime trupore dhe siç e shpjegojnë vetë viktimat, pas këtyre rrahjeve kishin pasur dhimbje të mëdha në gjithë trupin, dhunë psiqike, i kanë lënë pa ngrënë për ditë të tëra, i kanë ofenduar e sharë dhe i kanë kanosur seriozisht për jetë se do i vrasin të gjithë, veprime këto të cilat kanë shkaktuar gjendje ankthi dhe frike tek ata.

Me këtë, akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSFJ-së.

Ai ngarkohet edhe se në shtëpinë e tij më 21 qershor 2023, në Graçanicë, gjatë zbatimit të urdhër kontrollit, policia ka gjetur një pistoletë, fishekë, karikatorë, thikë, shufër metalike.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Milenkoviç pranon fajësinë për armëmbajtje pa leje, deklarohet i pafajshëm për krime lufte në Kosovë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore