Lajme

‘E papranueshme’, Luftanija ruse akuzohet për shkelje të ujërave daneze


Një anije luftarake ruse ka shkelur dy herë ujërat territoriale daneze në veri të ishullit Bornholm të Detit Baltik, ku po zhvillohej një festival demokracie dhe morën pjesë ligjvënës të lartë e njerëz të biznesit.

Danimarka e quajti veprimin të premten një provokim të papranueshëm.

Anija luftarake ruse hyri në ujërat daneze pa autorizim në orën 00:30 GMT të premten dhe përsëri disa orë më vonë, thanë forcat e armatosura në një deklaratë. Anija luftarake u largua pasi marina daneze vendosi kontakt me radio.

“Një provokim rus thellësisht i papërgjegjshëm, bruto dhe krejtësisht i papranueshëm”, tha ministri i Jashtëm i Danimarkës, Jeppe Kofod, në Twitter, duke iu referuar festivalit të Demokracisë në Danimarkë.

Festivali vjetor ndiqet nga zyrtarë të lartë të qeverisë, duke përfshirë Kofod dhe kryeministren, Mette Frederiksen.

“Metodat e bullizmit nuk funksionojnë kundër Danimarkës”, tha Kofod, duke shtuar se ambasadori rus ishte thirrur.

Megjithatë, nuk kishte pasur asnjë kërcënim të menjëhershëm kundër festivalit ose Bornholm, tha ministri danez i mbrojtjes, Morten Bødskov, për mediat lokale, duke cituar forcat e armatosura.

“Ne duhet të pranojmë se Deti Baltik po bëhet një zonë me tension të lartë”, tha Bødskov, duke shtuar se kjo nuk ishte hera e parë që Rusia shkelte territorin danez.

Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës tha muajin e kaluar se Ukraina kishte filluar të merrte raketa Harpoon nga Danimarka, dërgesa që ai tha se ishin rezultat i bashkëpunimit midis disa vendeve.

Marrë nga The Guardian, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore