Lajme

E konfirmon Policia: Janë dëgjuar dy shpërthime në Veri – s’ka të lënduar  


Foto nga arkivi

Policia e Kosovës i ka konfirmuar raportimet për shpërthime në Mitrovicë të Veriut – komunë e banuar me shumicë serbe.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elashani, ka thënë për Albanian Post, se informacionet e deritanishme janë për dy detonime, teksa ka bërë të ditur se nuk ka të lënduar.

“Ka pasur informacione që në Mitrovicë të  Veriut kanë qenë dy detonime, por policia konfirmon se ne jemi në qytet dhe nuk ka dëme apo lëndime në njerëz. Mund të ndodh që këto detonime të jenë shkaktuar nga mjetet piroteknike apo diçka tjetër”, tha Elshani.

Ai theksoi se “mund të sigurojmë që Veriu i vendit është i sigurt”.

Detaje shtesë për rastin në fjalë nuk kanë dhënë nga policia.

Për shpërthimet e pasmesnatës në Mitrovicë të Veriut raportoi AP më parë.

Qytetarë të Mitrovicës së Veriut kanë thënë për AP se shpërthimet kanë qenë të fuqishme, dhe se kanë shkaktuar shqetësim tek banorët e kësaj zone.

Në zonat ku janë dëgjuar shpërthimet, siç raportohet nga Mitrovica e Veriut, kanë dalë trupat e KFOR-it.

Një shpërthim tjetër me grantë dore në Mitrovicë të Veriut kishte ndodhur të mërkurën.

Siç kishte konfirmuar policia, granata ishte hedhur afër qendrës së kontrollit teknik të veturave.

“Me shumë mundësi bëhet fjalë për një granatë dore. Nuk ka dëme të mëdha materiale, përveç një dëmtimi të vogël në murin e një objekti”, kishte thënë zëdhënësi i policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani.

Shpërthimet e fundit në Veri kanë filluar pasi që një numër i konsiderueshëm i serbëve lokalë – të cilët janë shumicë në këtë pjesë të Kosovës – kanë filluar konvertimin e targave ilegale në ato RKS.

Ministria e Punëve të Brendshme ditë më parë ka njoftuar se të gjitha personat që kanë automjete targa ilegale do të kenë mundësi të përfitojnë nga lehtësirat për regjistrim në targa RKS, deri më datë 1 dhjetor 2023.

Kjo përfshinë taksat doganore, taksën administrative në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve, tarifën për targa dhe tarifën për pajisje me certifikatë të regjistrimit të Automjet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore