Shqipëria

E gjithë Evropa (sërish) në Tiranë, 10 ditë nga Samiti historik i Procesit të Berlinit


Ardhja e delegacioneve evropiane në Tiranë është bërë tashmë një rutinë e përjavshme në Shqipëri, ku edhe mbledhja e thuajse gjithë vendeve të Bashkimit Evropian në kryeqytetin e shqiptarisë, nuk është më aq tabu.

Do të jenë plot 24 delegacione nga anëtarët e BE-së, të cilët me përfaqësi të larta të ministrave të Jashtëm, do të mblidhen në ministerialin e fundit parapërgatitor, i cili prin Samitin historik të Procesit të Berlinit më 16 tetor – për të parën herë i zhvilluar jashtë bllokut perëndimor, në Tiranë.

Siç është zbuluar edhe në agjendën zyrtare, ministeriali do të drejtohet nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, i cili do të jetë edhe mikpritësi i delegacioneve.

Pjesëmarrje të veçanta pritet të jenë edhe ato të Komisionerit e Këshillit të Evropës për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, Përfaqësuesja e EAS, Angelina Eichhorst, ministrat e Jashtëm të Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës si dhe të vendeve anëtare të Procesit të Berlinit si Gjermania, Austria, Greqia, Hungaria etj..

Pjesë e Procesit të Berlinit janë edhe RCC dhe RYCO, dy organizata rajonale me në vëmendje ndërlidhjen dhe bashkëpunimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Takimi do të ketë 2 sesione, të cilat do të jenë të mbyllura dhe në fund ministri Hasani, ministrja gjermane, Annalena Baerbock dhe komisioneri Varhelyi do të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp.

Është bërë me dije se linjat kryesore të ministerialit do të jenë forcimi i dimensionit rajonal, nënvizimi i rëndësisë së veçante të këtij procesi në kuadër të integrimit në BE dhe përforcimi i angazhimit lidhur me Tregun e Përbashkët Rajonal, katër lirive themelore, Agjendës së Gjelbërt dhe asaj Digjitale.

Shqipëria kështu do të luajë jo thjesht rolin e vendit mikpritës, por edhe atë të mediatorit kryesor rajonal, i cili i është besuar nga Bashkimi Evropian prej kohësh tashmë, duke nënvizuar se është edhe i vetmi vend me stabilitet politik sa i takon konflikteve brenda rajonit.

Megjithatë, ky angazhim vjen në kushte shumë të veçanta dhe duhet theksuar se tensione të shtuara e kanë kapluar rajonin, mbi të gjitha pas një sulmi terrorist serb në veri të Kosovës, ku një polic kosovar ra në detyrë dhe katër terroristë serbë u ekzekutuan nga Forcat Speciale të Kosovës.

Do të jetë në këto kushte me rëndësi të shihet se si do të menaxhohet situata e fundit e nxehtë mes Kosovës dhe Serbisë në këtë përfaqësim, i cili është më madhori në termat e bashkëpunimit rajonal, duke parë edhe “vdekjen” kronologjike të nismës “Open Balkan”.

Mbi këtë të fundit, vetë kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka thënë se tashmë e ka kryer funksionin që kishte – atë të nxitësit në përshpejtimin e Procesit të Berlinit.

Këtij të fundit, siç ka thënë sërish kryeministri Rama, mbetet t’i shihen veçse “frytet”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore