Lajme

E fshehura në ambasadën serbe, mund të lirohet nga Mali i Zi


Gjykata e Lartë në Podgoricë ka deklaruar se nuk po kërkon më arrestimin e shtetases serbe, Branka Milic-it.

Milic është një nga të akuzuarat e komplotit për grusht shteti në 2016-ën.

Ajo u arratis nga gjykata dhe hyri në ambasadën serbe në Podgoricë, ku ka qëndruar që atëherë, e paarritshme për arrestim.

Mali i Zi i ka kërkuar Serbisë që të lejojë autoritetet e saj të zbatimit të ligjit, të hyjnë në ambasadë, por nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Në maj të vitit 2019, ambasadori serb në Podgoricë, Vladimir Bozovic, u tha autoriteteve malazeze se Milic ka nevojë për ndihmë urgjente mjekësore dhe si një shtetase serbe, duhet të lejohet të shkojë në shtëpi për mjekim.

Milic u dënua me tre vite burg në mungesë, pasi kishte ikur në ambasadën serbe.

Grushti i shtetit

Gjykata e Lartë në 2019 i shpalli fajtorë të 14 personat e akuzuar për planifikimin e rrëzimit të dhunshëm të qeverisë malazeze, në tetor të vitit 2016, me qëllim parandalimin e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO.

Sipas autoriteteve malazeze nacionalistët serbë dhe rusë kanë bërë komplot për të pushtuar parlamentin gjatë zgjedhjeve parlamentare, për të vrarë kryeministrin e atëhershëm, Millo Gjukanovic, dhe për të instaluar një udhëheqësi pro-ruse.

Të shpallurit fajtorë përfshinin dy udhëheqës të opozitës pro-ruse malazeze, një tjetër malazez, nëntë shtetas të Serbisë dhe dy rusë që janë gjykuar në mungesë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore