Kosova

Dyshohet se u dhunua një grua në Malishevë


Një grua në Malishevë ka raportuar të shtunën se është dhunuar nga një burrë, derisa Policia e Kosovës, në raportin e saj 24-orësh, ka njoftuar se dyshohet se i dyshuari dhe viktima kanë probleme psikike.

“Viktima femër kosovare ka raportuar se është dhunuar seksualisht nga i dyshuari mashkull kosovar. I dyshuari dhe viktima dyshohet se janë me probleme psikike”, thuhet në njoftim.

Me vendim të prokurorit, viktima është dërguar për ekzaminim mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

Ndërkaq një vajzë 13-vjeçare nga fshati Gelancë i Suharekës dyshohet se është zhdukur. Rastin në polici e ka njoftuar babai i të miturës.

“Ankuesi ka raportuar se vajza e tij e mitur (13 vjeç) viktima, është larguar nga shtëpia dhe nuk kanë njohuri për vend ndodhjen e saj”, thuhet në raport.

Sipas raportit 24-orësh, Policia ka ndaluar një furgon në Sharpel të Leposaviqit të shtunën dhe se gjatë kontrollit në furgon ishte gjetur një aparat ultrazëri që përdoret në mjekësi, e që dyshohet se ishte kontrabanduar nga Serbia.

Aparati i është dorëzuar doganës për procedura të mëtejme, e i dyshuari pas inicimit të rastit është liruar në procedurë të rregullt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore