Lajme

Dyshohet për plagosjen e një personi në Prishtinë, policia nis hetimet


Të shtëna armësh janë dëgjuar në mëngjesin e të hënës së 4 marsit në rrugën “Bedri Shala” në Prishtinë, derisa menjëherë pas marrjes së informatës lidhur me rastin ka reaguar Policia e Kosovës – të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes për të ndërmarrë veprimet e nevojshme.

Lajmin për AlbanianPost e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë Rajonale në Prishtinë, Flora Ahmeti, e cila ka bërë të ditur se dyshohet që një person ka marrë lëndime nga arma e zjarrit.

“Rreth orës 10:00, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë në rrugën “Bedri Shala” në Prishtinë”, tha Ahmeti.

“Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes  dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në informacionet e para raportohet për një person të lënduar, i cili dyshohet të ketë marrë lëndime nga arma e zjarrit”, shtoi ajo.

Ndërkaq, organet e hetuesisë së Policisë në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore