Lajme

Dyshohet për 20 mijë viktima pas përmbytjeve katastrofike në Libi


Kryebashkiaku i qytetit portual Derna të Libisë lindore vlerëson se 18 mijë deri në 20 mijë njerëz kanë vdekur nga përmbytjet.

Abdulmenam Al-Ghaithi ka thënë për televizionin al-Arabiya se vlerësimi i tij bazohej në numrin e rretheve të shkatërruara plotësisht kur dy diga shpërthyen.

Më shumë se 5 mijë njerëz dihet se kanë vdekur dhe të paktën 10 mijë rezultojnë të zhdukur.

Shumë trupa mbeten nën rrënojat e ndërtesave të shembura ose në det.

Rrugët u rrënuan nga përrenjtë dhe trupat po nxirren nga uji.

Sakaq, dy qeveritë rivale në Libi po bashkërendojnë përpjekjet për ndihmë për viktimat e përmbytjeve.

Ekipet e shpëtimit kanë mbërritur nga vende si Egjipti, Tunizia, Italia, Spanja dhe Turqia.

Gjithçka që ka mbetur nga pjesa më e madhe e Derna-s janë rrënojat e ndërtesave të shembura dhe trupat e njerëzve të vrarë nga përmbytjet.

Çfarë ndodhi?

Një stuhi e fuqishme shkaktoi përmbytje shkatërruese në Libinë lindore.

Në Derna, një qytet me rreth 100 mijë banorë, dy diga u shembën për shkak të shiut të madh, duke çuar në një përrua të madh si cunami që përfshiu qytetin.

Familje të tëra u shpërndanë dhe lagje të tëra u zhdukën.

Dhjetëra mijëra njerëz janë zhvendosur.

Përmbytjet u shkaktuan nga stuhia Daniel, e cila goditi vendin e Afrikës Veriore të dielën dhe solli shi të dendur.

Ekipet libiane të shpëtimit tani po ndihmohen nga ekuipazhet ndërkombëtare në zonën e Derna-s.

Ndërkohë, qeveritë rivale të vendit afrikan kanë kërkuar ndihmë ndërkombëtare dhe po ndërlidhen me njëra-tjetrën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore