Kosova

Dyfishimi i pagesës sociale dhe ndarja e 100 eurove shtesë për pensionistët – potez politik në kohë fushate


Drejtori i Organizatës jo-qeveritare, Demokraci Plus, Albert Krasniqi

Drejtori i Organizatës jo-qeveritare, Demokraci Plus, Albert Krasniqi, vendimin e Qeverisë së Kosovës për të dyfishuar pagesën për përfituesit e skemës së ndihmës sociale për dy muaj si dhe për ndarjen nga 100 euro shtesë për pensionistët për një muaj e ka konsideruar si potez politik për të fituar disa vota më shumë në fazën e dytë të zgjedhjeve lokale.

“Vendimi i Qeverisë në kohë të fushatës zgjedhore, është rast tipik i abuzimit me resurset shtetërore për përfitime të partisë në pushtet”, ka shkruar Krasniqi në rrjetin e tij në Facebook.

Sipas tij kështu dëmtohet procesi zgjedhor pasi krijohet një pabarazi zgjedhore me partitë e tjera në opozitë.

“Aq më keq, kur për forma të tilla të abuzimit keni kritikuar qeveritë e kaluara – keni kërkuar mbështetje për të vepruar ndryshe – dhe tani kur e keni rastin, e bëni pikërisht të njëjtën. Ka mbetur vetëm edhe të premtohet që Zhegra dhe Zhuri do të bëhen komuna”, ka shtuar ai.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e të mërkurës ka miratuar vendimin për ndarjen e dyfishtë të pagesës së rregullt për përfituesit e skemave sociale.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, propozoi ndarjen e mjeteve financiar për përfituesit e skemave sociale nё muajt nëntor dhe dhjetor që do tё përfitojnë dyfishin e pagesës sё rregullt dhe shtesës aktuale, shtesё e cila gjithashtu aplikohet si pjesё e masёs 3.2 tё Pakos sё Ringjalljes Ekonomike.

Po ashtu, qeveria e Kosovës ka marr vendim që t’iu ndajë nga 100 euro të gjithë pensionistëve për muajin nëntor.

“Duke i konsideruar rrethanat ekonomike, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve në kuadër të pakos së ringjalljes ekonomike në bazë të masës 3.2, mbështetja për pensionistet dhe me asistencë sociale propozon ndarjen prej 30 milionë eurove për të ju dalë në ndihmë përfituesve të skemave pensionale” ka thënë ministri i Financave Punës dhe Transfereve , Hekuran Murati.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore