Shqipëria

‘Dyert e mbyllura’ të Afganistanit për deputetet afgane, të hapura në Shqipëri


Në mesin e mijëra njerëzve që kërkonin mbrojtje, kur talebanët morën pushtetin në Afganistan, ishin edhe deputetet afgane.

Të larguarat arritën të siguronin vende në fluturimet e evakuimit dhe nga 46 që ndodhen aktualisht nëpër Evropë, më të shumtat kanë gjetur strehë në Shqipëri, Greqi dhe Turqi.

Pjesa tjetër i është drejtuar një duzine vendesh nga Australia në Katar.

Agjencia e lajmeve “BBC” ka zbuluar se 60 nga 69 prej tyre, tanimë janë të shpërndara në vende të ndryshme anembanë globit.

Kurse nëntë të tjerat ndodhen të fshehura në vendin e tyre.

Ama shumë nga to nuk duan të ndalen në luftën për të drejtat e grave afgane.

Njëra, Mashid, ka rrëfyer se, menjëherë pas marrjes së pushtetit nga talebanët, është fshehur dhe ka qëndruar kaherë në lëvizje.

Nuk ka fjetur asnjëherë dy net radhazi në të njëjtën shtëpi.

Pa rrugëdalje të lehtë për të ikur nga ai vend, nuk donte ta rrezikonte familjen duke e çuar në aeroportin e Kabul-it ku gumëzhinte turma, skena kaotike dhe shpërthimi.

Për të, “dyert e Afganistanit u mbyllën”.

Dy javë më parë, pas tre muajsh në fshehtësi, Mashid u desh të mbulohej plotësisht me burka, të merrte me vete fëmijët e saj dhe të hipte në një autobus.

Fillimisht u nisën për në Herat e më pas janë drejtuar për në kufirin iranian.

“Talebanët nuk i detyrojnë gratë të zbulojnë fytyrën e tyre të mbuluar”, ka treguar ajo për lëvizjen që ndërmori për t’u veshur me burka.

Por Mashid ka siguruar se, nëse do të ishte identifikuar në një pikë kontrolli taleban, me siguri do të ishte arrestuar.

Por ja që ata s’mund të mendonin se një deputete mund të vishte burka gjithashtu “mendojnë se të gjithë politikanët afganë dhe aktivistet janë evakuuar”.

Dhjetë ditë pas udhëtimit nëpër Iran, tanimë Mashid gjendet në Turqi.

Ama është jashtë dëshirës së saj të qëndrojë aty, pasi është e shqetësuar se autoritetet turke nuk do ta lejojnë atë të mbetet politikisht aktive.

Për deputeten afgane, diçka e tillë është mbytëse.

Ajo dëshiron që ende t’i tregojë botës për “tmerrin” me të cilin përballen gratë dhe vajzat në Afganistan dhe të bëjë fushatë për ndryshim.

Kurse, tani për tani, ajo e fsheh identitetin e saj, për të mbrojtur të afërmit e mbetur në Afganistan.

Një tjetër deputete afgane ndodhet në Gjermani.

Ajo, Serina, së bashku me bashkëshortin dhe fëmijën tremuajsh, udhëtuan për atje me avion.

Para se të largohej nga Afganistani, u sëmur nga tuberkulozi dhe tani po trajtohet me antibiotikë. Kjo, teksa qëndron në një kamp për azilkërkuesit.

Nuk e kishte imagjinuar kurrë se do t’i duhej të ikte nga vendi i saj dhe ndihet e humbur në kontinentin që nuk e ka vizituar asnjëherë më parë. Në një vend ku nuk e flet gjuhën.

“Kam kaluar ditë të hidhura dhe jam ende në një situatë të keqe, por sa herë që më kujtohen problemet që po kalon çdo afgan, e harroj dhimbjen time”, ka rrëfyer ajo.

Kthimin në Afganistan, Serina as nuk e shkon ndër mend.

Ajo thjesht mbetet në pritje që, bashkë me familjen, të transferohet në një shtëpi të re në një qytet gjerman dhe të mund të fillojë sërish jetën.

Dhe duke bërë gjithçka çka mundet për të mbajtur një lidhje me shtëpinë që la pas.

“Jam rritur në luftë dhe mjerim. Por do ta rris fëmijën tim me të njëjtën kulturë, zakone dhe ndjenjë për atdheun tim”, ka ravijëzuar ajo.

Shumë prej deputetëve dëshirojnë të shkojnë në Kanada. Kjo e fundit ka deklaruar se do të marrë pesë mijë refugjatë afganë.

Ama kudo që të përfundojnë, shumica e deputeteve, si Mashid, duan të vazhdojnë luftën për të drejtat e grave.

Një ide është krijimi i një “parlamenti të grave në mërgim”, për të tërhequr vëmendjen ndaj shkeljes së të drejtave të grave në Afganistan dhe për të vazhduar presionin ndaj talebanëve.

Ideja ka ardhur nga një organizatë joqeveritare që ka ndihmuar në organizimin e evakuimit të grave deputete nga Afganistani dhe është miratuar me entuziazëm nga disa prej deputetëve në Evropë.

Nëse do të bëhet realitet… shumë herët për ta thënë.

Shinkai Karokhail është gjithashtu një mbështetëse. Ajo ka qenë ambasadorja e Afganistanit në Kanada përpara se të zgjidhej në parlament.

Momentalisht, jeton në një qytet jashtë Torontos dhe kërkon azil në vend.

“Kam humbur krahinën time në mëngjes dhe presidentin tim pasdite”, ka treguar ajo, duke përshkruar ngjarjet e shpejta të 15 gushtit.

“Deri në fund të ditës, asgjë nuk më befasoi më”, ka vijuar ajo.

Si një forcë shtytëse e aktit të eliminimit të dhunës kundër grave në Afganistan, Karokhail ka paralajmëruar se gratë deputete do të duhet të lënë mënjanë dallimet e tyre, nëse duan të arrijnë synimin.

“Të gjithë përfaqësonin një pjesë të ndryshme të Afganistanit, me një prioritet të ndryshëm dhe interesa të ndryshme politike… por tani kemi humbur gjithçka”, ka theksuar ajo.

Sipas saj, “të gjitha dallimet që patëm, i kemi humbur. Mendoj se është koha për të kuptuar se të vetmet gjëra që kanë rëndësi tani janë të shpëtojmë vendin, të mbështesim njerëzit dhe t’u japim grave zë”.

Jashtë Amsterdam-it, në një shtëpi të vogël në Elay Ershad, ajo po përgatit një drekë tradicionale afgane.

Këtë, duke u përpjekur të gjejë të gjithë përbërësit në supermarketin lokal, pa humbur asgjë.

“Më kujton njerëzit e mi, ata që nuk kanë mjaftueshëm për të ngrënë dhe disa prej tyre që nuk kanë fare ushqim”, ka shtuar ajo.

Ndërsa Elay Ershad nuk ishte anëtare e parlamentit të fundit afgan, por ka qenë deputete për më shumë se një dekadë dhe ka shërbyer si zëdhënëse e presidentit Ashraf Ghani.

Pas marrjes së kontrollit, talebanët i ngrinë llogaritë e saj bankare. Pa ndier nevojën për t’u fshehur, ajo udhëtoi në muajin shtator jashtë vendit.

Por tanimë, po përgatitet për t’u kthyer. Me shpresën për mbrojtje nga kontaktet me talebanët, pasi është skeptike lidhur me shanset që mund të ketë për të bërë një ndryshim në Afganistan teksa ndodhet jashtë vendit.

“Nuk është e mundur të punosh nga vende të tjera, apo nga jashtë. Duhet të jemi brenda Afganistanit”, ka ravijëzuar Ershad.

Për të, “zgjidhja është me bazë në Afganistan dhe ne duhet ta gjejmë atë në Afganistan”.

Plani i saj është të punojë me organizatat joqeveritare ndërkombëtare për të krijuar shkolla vajzash dhe për të mbrojtur të drejtën e grave për arsim, “edhe nëse kjo ndodh nën një qeveri talebane”.

“Nëse ikën nga një problem, problemi do të jetë atje përgjithmonë”, ka përmbyllur ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore