Sport

Dy yjet e Chelseat debatojnë për një penallti, por përfiton i treti (VIDEO)


Pamjet e lojtarëve të Chelsea-t duke u grindur se kush duhet të ekzekutojë penalltinë kanë bërë xhiro në mediat sociale.

Chelsea ishte 4-0 në avantazh ndaj Everton-it kur iu dha një penallti pasi Abdoulaye Doucoure faulloi Cole Palmer-in brenda zonës.

Palmer kishte shënuar tashmë një hat-trick në pjesën e parë, pasi Chelsea shkatërroi Everton-in 6-0.

Pamjet e “Sky Sports” kanë zbuluar se anësori Noni Madueke ia rrëmbeu topin nga dora Malo Gusto-s, përpara sulmuesit Nicolas Jackson.

Ndërsa Madueke ecte drejt pikës së penalltisë, me topin nën krahun e tij, ai dhe Jackson vazhduan të debatonin se kush duhet të ekzekutonte penalltinë.

Thiago Silva me eksperiencë erdhi më pas për të shpërndarë tensionet, duke vënë krahët rreth çiftit dhe duke i ndarë.

Në këtë pikë, me Jackson që po tërhiqej, Madueke dukej se do të fitonte të drejtën për të gjuajtur penalltinë. Por, më pas erdhi edhe ndërhyrja e Palmer-it, i cili kishte shënuar tetë nga tetë penallti këtë sezon, për t’ia marrë topin shokut të skuadrës.

Kapiteni i Chelsea-t, Conor Gallagher, gjithashtu mbështeti pretendimin e Palmer-it, ndërsa Jackson më pas u kthye për të bërë një lutje të fundit.

Ndërsa Palmer uli topin, pati shtytje midis Madueke, Jackson dhe Gallagher. Por Palmer përfundimisht mori penalltinë dhe e dërgoi topin në rrjetë.

Në intervistat e tij pas ndeshjes, trajneri i Chelsea-t, Mauricio Pochettino u kërkoi falje tifozëve për sjelljen e lojtarëve të tij.

Ai tha: “Është turp, nuk mund të sillemi në këtë mënyrë, u thashë ‘është hera e fundit e kësaj sjelljeje’”.

“Është e pamundur të kemi një sjellje të tillë pas kësaj paraqitje. Nëse duam të jemi një ekip i madh, duhet të ndryshojmë dhe të mendojmë në mënyrë kolektive”, vijoi argjentinasi.

Palmer ka shënuar 24 gola dhe ka dhënë 13 asistime në të gjitha kompeticionet këtë sezon që kur përfundoi një transferim prej 40 milionë paundësh nga Manchester City verën e kaluar.

Palmer tani ka shënuar 20 gola në Premier League këtë sezon, duke e vendosur atë në krye të listave të golashënuesve së bashku me ish-bashkëlojtarin e City-t, Erling Haaland.

Palmer do të ndeshet me ish-klubin e tij kur Chelsea dhe City të takohen në “Wembley” në gjysmëfinalen e FA Cup të shtunën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore