Lajme

Dy vetura të Policisë sulmohen në Veri


Policia e Kosovës.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një veturë e Policisë në Zveçan është sulmuar me gurë nga tre persona të maskuar, të enjten dhe një tjetër është sulmuar në Mitrovicë të Veriut.

Lajmi është bërë i ditur përmes raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës.

“Raportohet se tre persona të maskuar kanë gjuajtur me gurë në drejtim të veturës zyrtare të policisë dhe më pas janë larguar”.

Në raportin e policisë është thënë se s’ka pasur të lënduar, vetëm dëme materiale në veturë.

“Përveç dëmeve materiale në veturë zyrtare, nuk raportohet për të lënduar. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin e Policisë.

Një sulm tjetër ndaj një veturë të Policisë ka ndodhur në Mitrovicë të Veriut.

Përveç me gurë, ajo është gjuajtur edhe me shok-bombë.

“Mitrovicë Veri, 15.06.2023-23:30. Raportohet se persona të panjohur kanë gjuajtur me gur dhe shok – bombë automjetin zyrtar të Policisë së Kosovës dhe kanë ikur në drejtim të panjohur. Për veç dëmeve materiale nuk ka të lënduar. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin e Policisë.

Sulm i ngjashëm ndaj Policisë së Kosovës kishte ndodhur edhe më 31 maj.

Sipas policisë, sulmi dyshohej të jetë kryer nga një grup i personave, të cilët kanë gjuajtur me mjete të forta.

Ky ishte sulmi i dytë ndaj veturës së Policisë së Kosovës, pas situatës së krijuar në Veri të Kosovës.

Të mërkurën tre zyrtarë kufitarë janë kidnapuar nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës.

Megjithatë, autoritetet serbe pretendojnë se ata janë arrestuar nga njësitet anti-terror të xhandarmërisë serbe brenda territorit të Serbisë.

Nga ana tjetër, autoritetet e Kosovës kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve policorë të rrëmbyer nga policia serbe të mërkurën, reagimin e bashkësisë së organizuar ndërkombëtare lidhur me këtë rast dhe dënimin e Serbisë për agresionin e shfaqur.

Arrestimi i tre policëve kosovarë nga njësitet elitare të Policisë së Serbisë në vijën kufitare me Kosovën, ndodhi pikërish në një periudhë tensionesh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht në pjesën veriore të Kosovës të banuar serbë etnikë.

Pas këtij veprimi, Kosova ka ndaluar hyrjen e të gjitha mallrave në Kosovë.

Nga Qeveria e Kosovës të enjten u tha se janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë, nga kryeministri Albin Kurti u tha se synimi i tyre “është siguria”.

Tensionet nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Nga përleshjet ishin lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.

Ndërsa, më 13 qershor, Policia e Kosovës ka kryer një aksion në Veri, ku arrestoi Millun Millenkoviç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore