Lajme

Dy ushtarë sirianë u vranë në një sulm ajror izraelit pranë Damaskut


Zyrtarët sirianë thanë se sistemet e mbrojtjes ajrore në Damask u përdorën në orët e para të mëngjesit të së martës, pas një sulmi të supozuar me raketa izraelite.

Sipas forcave opozitare në Siri, dy ushtarë u vranë në sulmin, i cili sipas tyre kishte në shënjestër objektet e Hezbollah-ut në jug të Damaskut.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia izraelite “Haaretz”.

Muajin e kaluar, kishte tre sulme të supozuara izraelite ndaj objektivave në Damask.

Kjo, duke përfshirë një në aeroportin ushtarak pranë Homs-it dhe një tjetër në një kolonë me cisterna nafte në kufirin Siri-Irak.

Ky është sulmi i 32-të i supozuar izraelit në Siri që nga fillimi i vitit.

Javën e kaluar, Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut raportoi se Hezbollahu ka tërhequr forcat e tij nga Damasku dhe Alepo nga frika e një sulmi izraelit.

Sipas organizatës me bazë në Londër, grupi libanez ka zhvendosur municione dhe armë në pozicione të tjera në jugperëndim të kryeqytetit sirian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore