Shqipëria

Dy standardet e BE-së: Shqipërisë iu deshën 8 vite për çeljen e bisedimeve, Ukrainës vetëm 6 muaj


Bashkimi Evropian u zotua gjatë muajit shtator se do të përshpejtonte rrugën e anëtarësimit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor – Serbisë, Kosovës, Malit të Zi, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bosnjë Hercegovinës – me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, që argumentoi se pranimet e para duhet të ndodhin deri në vitin 2030.

Në një ngjarje të fundit në Slloveni pas njoftimit të Michel-it, kryeministri shqiptar, Edi Rama, hodhi dyshime mbi objektivin e ri dhe tha se shembulli i Ukrainës tregon se lufta mund të përshpejtojë anëtarësimin.

“Kush duhet të sulmojë kë në këtë panel për të marrë anëtarësimin më shpejt?”, Rama pyeti me shaka kolegët drejtues që ishin me të në skenë.

“Bullgaria mund të sulmojë lehtësisht Maqedoninë e Veriut, Kroacia mund të sulmojë Serbinë, Serbia mund të sulmojë Kosovën, Bosnja mund të sulmojë veten, kështu që ne të gjithë mund të jemi gati për t’u bashkuar me trenin me Ukrainën”.

Pas më shumë se dy javësh, Bashkimi Evropian është duke u përgatitur për të hapur bisedimet me Ukrainën lidhur me pranimin e saj të ardhshëm në bllok me një njoftim zyrtar që pritet në dhjetor.

Kështu bëri të ditur “Politico”, duke cituar tre diplomatë me njohuri për planet.

Sipas kompanisë mediatike, udhëheqësit po përgatiten t’i japin Kiev-it dritën jeshile për të filluar bisedimet zyrtare për bashkimin me bllokun 27-vendesh përpara fundit të vitit.

Edhe pa finalizim të kuadrit ligjor

Ukraina është në qendër të një shtytjeje të re të madhe për të zgjeruar BE-në deri në 35 vende.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha në fjalimin e saj vjetor në Parlament muajin e kaluar se e ardhmja e Ukrainës ishte “në Union”.

Vendet e BE-së i dhanë Kiev-it statusin si kandidat për anëtarësim në BE në qershor dhe Komisioni do të nxjerrë një “raport progresi” se sa mirë Ukraina dhe anëtarët e tjerë aspirantë po përmbushin kushtet e bllokut për t’u anëtarësuar në nëntor, sipas një zyrtari të BE-së i cili foli me gazetarët të martën.

Pasi të miratohet raporti i progresit, Komisioni do të bëjë një deklaratë që do ta bëjë “shumë të vështirë për shtetet anëtare të mos thonë le të hapim negociatat” për Ukrainën, tha një diplomat i BE-së, të cilit, si të tjerëve, iu dha anonimiteti për të diskutuar çështje konfidenciale.

Çdo vendim për hapjen e negociatave zyrtare për anëtarësimin e Ukrainës në BE është i mbushur politikisht dhe ligjërisht.

Për të nisur bisedimet, Ukrainës i kërkohej ligjërisht të plotësonte shtatë kushte të përcaktuara nga Komisioni, duke përfshirë reformat në drejtësi dhe frenimin e korrupsionit.

Që nga gushti, vetëm dy nga shtatë kushtet ishin përmbushur, tha qeveria ukrainase asokohe.

“Politico” shkruan se ndërsa Ukraina mund të mos i ketë përmbushur të shtatë kushtet deri në kohën kur krerët e shteteve dhe qeverive evropiane të mblidhen për një samit në mes të dhjetorit, liderët do të bëjnë një deklaratë politike që autorizon negociatat edhe nëse kuadri ligjor i negociatave nuk është finalizuar ende.

“Qëllimi është të bihet dakord politikisht në dhjetor për fillimin e negociatave”, tha një diplomat i dytë, duke shtuar se një vendim ligjor për pranimin e Ukrainës mund të ndodhë deri në fillim të vitit 2024.

Një diplomat i tretë tha se udhëheqësit do të “dërgojnë një sinjal pozitiv” për anëtarësimin e ardhshëm të Ukrainës në dhjetor.

I pyetur se sa larg ka arritur Ukraina drejt përmbushjes së shtatë kritereve, një zyrtar i BE-së tha se përparimi ishte inkurajues dhe vetëm një fushë, në lidhje me pakicat, dukej problematike në afat të shkurtër.

Spiralja e Shqipërisë

Më 27 qershor të vitit 2014, Shqipërisë do t’i jepej statusi i vendit kandidat duke nisur një rrugëtim të stërzgjatur burokratik me Bruksel-in zyrtar.

Dy vite pasi, Komisioni Evropian kishte rekomanduar që Shqipërisë t’i jepej statusi i kandidatit, në varësi të përfundimit të masave kyçe në fushat e reformës gjyqësore dhe të administratës publike dhe rishikimit të rregullores së procedurës parlamentare.

Pas marrjes së statusit si vend kandidat, Këshilli përcaktoi asokohe pesë prioritete kyçe (administrata publike, sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, krimi i organizuar, të drejtat themelore) që Shqipëria duhej të përmbushte përpara fillimit të negociatave të anëtarësimit.

Më 9 nëntor të vitit 2016, bazuar në arritjen e prioriteteve kyçe, Komisioni i propozoi fillimisht Këshillit fillimin e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, në varësi të progresit konkret në zbatimin e reformës në drejtësi, në veçanti të procesit të “vettingut” që kishte përfshirë gjyqtarët dhe prokurorët.

Dy vite më pas, në Paketën e tij Vjetore të Zgjerimit, Komisioni Evropian rekomandoi që Këshilli të vendosë për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë në dritën e progresit të qëndrueshëm të vendit, ruajtjes dhe thellimit të reformave.

Më 26 qershor 2018, Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së ra dakord që t’i përgjigjej pozitivisht progresit të bërë nga Shqipëria dhe të përcaktonte rrugën drejt hapjes së negociatave të anëtarësimit në qershor 2019.

Vetëm në 29 maj të vitit 2019, Komisioni Evropian prezantoi Paketën vjetore të Zgjerimit, duke rekomanduar sërish hapjen e menjëhershme të negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë.

Një muaj më pas, Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme ripohoi konkluzionet e tij të datës 26 qershor 2018, duke marrë parasysh rekomandimin e Komisionit për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe vendosi t’i kthehet çështjes me synimin për të arritur një vendim të qartë dhe thelbësor sa më shpejt që të jetë e mundur dhe jo më vonë se tetori 2019.

Por viti 2019 nuk ishte afati final i shtyrjeve të çeljes së bisedimeve mes Unionit dhe Shqipërisë.

Më 25 mars të vitit 2020, Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së vendosi hapjen e negociatave të anëtarësimit me vendin tonë, bazuar në progresin e bërë me reformat dhe arritjen e Shqipërisë për të përmbushur kushtet e vendosura unanimisht po prapë nga Këshilli në qershor të vitit 2018.

I njëjti vendim u ravijëzua një ditë më pas edhe nga Këshilli Evropian, i cili miratoi vendimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së për hapjen e negociatave me Shqipërinë.

BE-ja mbajti konferencën e parë ndërqeveritare me Shqipërinë në korrik të vitit 2022, tetë vite pas marrjes së statusit si vend kandidat.

Zhgënjimi i Ballkanit

Disa liderë të Ballkanit Perëndimor po bëhen gjithnjë e më të frustruar, që Ukraina po i kapërcen vendet e tyre në procesin e pranimit në Bashkimin Evropian, duke shtuar vonesa të mëtejshme në përpjekjet e tyre prej dekadash për t’u bashkuar me bllokun.

“Nuk kam asgjë kundër ukrainasve”, tha presidenti serb Aleksandar Vuçiç për Financial Times. “Por niveli i mbështetjes së BE-së për Ukrainën, duke i dhënë asaj statusin e kandidatit brenda një viti nga aplikimi i saj dhe potencialisht fillimi i bisedimeve të anëtarësimit vitin e ardhshëm, tregon për ne se një mbështetje e tillë politike nuk ka qenë kurrë atje”.

Negociatat e Serbisë aktualisht janë të bllokuara për disa çështje, më së shumti për dështimin e Beogradit për të normalizuar marrëdhëniet me Kosovën, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008.

Serbia është gjithashtu i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që nuk ka miratuar sanksionet e BE-së kundër Rusisë, e cila është ngadalësuar më tej ulur perspektivat e anëtarësimit.

Ndërsa përparimi më i shpejtë i Ukrainës frustron shumë njerëz, Maqedonia e Veriut, një vend i NATO-s që priti 18 vjet përpara se të fillonte bisedimet e anëtarësimit në BE, tha se nuk po e konsideronte vendin e shkatërruar nga lufta si “konkurrencë”.

“Rezultati i luftës në Ukrainë do të përcaktojë fatin e vetë unionit”, tha ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani. “Ukraina nuk duhet të shihet si e privilegjuar sepse Ukraina nuk po lufton vetëm për veten e saj, ajo po lufton për të ardhmen e kontinentit”.

Shpërbërja e Jugosllavisë në vitet 1990 çoi në luftëra midis Serbisë, Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës, duke çuar në dhjetëra mijëra vdekje dhe miliona njerëz të zhvendosur.

Disa armiqësi, duke përfshirë përbërjen e Bosnjës dhe statusin e Kosovës, janë ndezur vazhdimisht që atëherë, duke e bërë integrimin e tyre në BE edhe më të pakapshëm.

Pas një samiti tjetër të pafrytshëm mes liderëve të vendeve, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell tha se “pa normalizim, nuk do të ketë një të ardhme evropiane as për Kosovën, as për Serbinë”.

Kosova aplikoi për anëtarësim në BE dhjetorin e kaluar dhe ende nuk i është dhënë statusi i kandidatit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore