Shqipëria

Dy muaj për një përgjigje, serioziteti-joserioz i Autoritetit te Dosjeve


Më 14 shtator 2022, Albanian Post do të publikonte lajmin ekskluziv se përtej çështjes së shtetasit I.M pranë Autoritetit të Dosjeve, i cili lidhej me pastërtinë e figurës së ish-presidentit të Republikës, Ilir Meta, ka pasur edhe një email tjetër anonim informues, kundrejt një deputeti të shumicës në Shqipëri.

Ai deputet, ishte pikërisht Fatmir Xhafaj, nga radhët e Partisë Socialiste.

Email-i anonim për Fatmir Xhafajn

Tashmë, pas më shumë se dy muajsh heshtje mbi çështjen nga Autoriteti i Dosjeve, pavarësisht kërkesës së Albanian Post për informacion, ka ardhur një qëndrim zyrtar lidhur me gjithë dinamikën e ngjarjes, ku pohohet qartësisht se ka pasur një email informativ, i cili lidhet me figurën e deputetit socialist, por çështje nuk është bërë publike – ashtu sikundër ajo e Metës – pasi nuk ka një kërkesë zyrtare shqyrtimi për këtë.

Sipas sqarimit të detajuar, që ka ardhur pranë redaksisë së Albanian Post nga Autoriteti i Dosjeve, për shtetasin Fatmir Xhafaj, pranë institucionit, nuk është paraqitur asnjëherë kërkesë, qoftë edhe nga institucionet e përcaktuara në ligj, për verifikimin e figurës së tij.

Madje, as nga vetë shtetasi që ka dërguar informacionin, nuk ka pasur kërkesë të tillë.

“Autoriteti, në mungesë të një kërkese të paraqitur nga vetë shtetasi apo zyrtari në cilësinë e kërkuesit apo të një kërkese nga institucionet që kanë nevojë të kërkojnë verifikimin e zyrtarit në fjalë, nuk mund të vihet në lëvizje e rrjedhimisht nuk mund të ketë një vendimmarrje të Autoritetit për shtetasin”, shkruhet në arsyetimin e institucionit.

Më tej, përshkruhet fakti se si vetë Autoriteti, në të tilla raste, këshillon të ndiqen rrugët ligjore për informim, duke u bazuar në procedura ligjore.

E njëjta gjë sipas tyre, është bërë edhe me dërguesin e email-it për Fatmir Xhafajn, por nga ky i fundit ose nga persona të tjerë të interesuar, nuk është ndjekur asnjë rrugë ligjore për informimin rreth çështjes, sipas orientimit të organit.

E gjithë ndodhia tashmë, ndalet edhe në faktin se pse në rastin e Metës, pasi publikim të ekzistencës së një email-i të tillë informues dhe pse rasti u politizua e mediatizua më pas.

Shpjegimi, sipas vetë Autoritetit, që e ka qartësuar situatën në shkresën dërguar Albanian Post, bën me dije se nga vetë Kuvendi i Republikës, ka pasur një kërkesë për verifikimin e figurës së presidentit të asokohe, Ilir Meta.

Pikërisht për këtë arsye, për rastin Meta, ka një trajtim të rastit, ku ky i fundit zotëron edhe certifikatë të pastërtisë së figurës nga ana e institucionit.

Nga ana tjetër, për rastin Xhafaj, nuk ka pasur asnjëherë verifikim të figurës.

Teksa, për rastin Meta, pas marrjes së informacionit dhe përcjelljen e tij drejt Kuvendit, nuk ka pasur asnjëherë riverifikim të figurës së Metës, sipas vetë Autoritetit.

Por, pas verifikimit të indicies, është informuar për ekzistencën e një dokumentacioni të identifikuar në fondin arkivor, si detyrim ligjor për raportim, duke i kërkuar kështu vetë Kuvendit, ndryshime të mëtejshme ligjore, për të vepruar mbi rastin.

Me një provë konkrete tashmë se email-i për Xhafajn ekziston dhe ka shkuar pranë Autoritetit, do të ishte e qenësishme nga organet e Kuvendit të kërkohej kësisoj një verifikim i pastërtisë së figurës edhe ndaj deputetit të mazhorancës.

Mbi të gjitha, në kushtet kur më parë, nga radhët e opozitës, kanë shkuar akuza të shumta drejt tij, që e bënë dikur edhe të kontestuar për ndërmarrjen e rolit të ministrit të Brendshëm, post të cilin e mbajti prej shtatorit 2017 deri në nëntor 2018.

Nëse edhe për këtë nuk duhet pritur dy muaj, si përgjigjet nga Autoriteti!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore