Lajme

Dy huliganë serbë pranojnë fajësinë për sulmin ndaj KFOR-it – njëri dënohet 6 muaj burg, tjetri 6 mijë euro gjobë


Ilustrim

Radosh Petroviç dhe Dushan Obrenoviç – dy huliganë serbë të cilët u arrestuan më 29 maj nga Policia e Kosovës në Zveçan – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të vendit, arritën një marrëveshje me Prokurorinë Speciale të Kosovës dhe pranuan fajësinë për huliganizëm.

Ata pranuan fajësisë për pjesëmarrje në protestën që shpërtheu në dhunë vitin e kaluar, ku mbi 100 pjesëtarë të Forcës së NATO-s (KFOR) pësuan lëndime serioze, konfirmoi  zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, në një prononcim për “Betimi për Drejtësi” të martën.

Petroviçit gjashtë muaj burgim i janë zëvendësuar me gjobë prej 6 mijë euro, ku do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, ndërsa Obrenoviçi është dënuar me gjashtë muaj burgim efektiv, ku gjithashtu do t’i llogaritet koha e kaluar nën masën e paraburgimit.

Tensionet në veri të Kosovës nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të katër komunave veriore – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale mes kundërshtimit të serbëve lokalë që pastaj shpërtheu në dhunë duke lënduar rëndë mbi 100 pjesëtarë të misionit paqeruajtës të KFOR-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore