Sport

Dy ditë pasi u shkarkua nga detyra, trajneri i klubit nga Serie A rikthehet në punë


Një gjë interesante dhe jo shumë e zakonshme ka ndodhur në futbollin italian, në Serie A.

Trajneri i Salernitana-s, Davide Nicola, u shkarkua nga detyra pas humbjes turpëruese nga Atalanta me rezultat 8:2 në javën e kaluar në Serie A, por, vetëm dy ditë pasi u shkarkua, ai u rikthye në punë.

Nicola e ka konfirmuar vetë rikthimin, derisa ka falënderuar presidentin e klubit, Danilo Iervolino dhe drejtorin sportiv, Morgan De Sanctis.

“Unë do t’ju them të vërtetën. Dje mora një telefonatë nga presidenti Iervolino”, ka shkruar trajneri në rrjetet sociale.

“Me metodat e tij, të cilat janë gjithmonë të këndshme dhe miqësore, ai më shpjegoi arsyet e vendimit të tij të dhimbshëm që duhej të merrte për të theksuar ndërprerjen pas një disfate të keqe kundër Atalanta-s në Bergamo”, shtoi trajneri italian.

“Kërkova falje, duke marrë përgjegjësinë për një paraqitje që nuk ishte adekuate dhe humbjen e rëndë që rezultoi. Unë besoj te kjo skuadër dhe te njerëzit e saj dhe te ky klub i madh”.

“Le të fillojmë përsëri, të gjithë së bashku dhe të rrëfejmë një tjetër histori të jashtëzakonshme të futbollit, duke u dhënë tifozëve të Granata të njëjtin pasion dhe ndjenjën e përkatësisë që na tregojnë gjithmonë. Ky është Salerno, kjo është Salernitana, shumë më tepër sesa thjesht një klub futbolli”, tha mes tjerash tashmë i rikthyeri në punë.

Kujtojmë që Nicola drejton klubin nga Serie A që nga muaji shkurt i vitit të kaluar.

Ndërkaq, përveç Salernitana-s, ai në të kaluarën ka drejtuar edhe klube të ndryshme italiane si: Torino, Genoa, Udinese Crotone, Bari, Livorno e Lumezzane.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore