Shqipëria

Duhanpirja, një “traditë” në kulturën shqiptare


Në një nga veprat e piktorit francez, Jean Leon Gerome, “Arnaut smoking” (Shqiptari duke tymosur), shfaqet një burrë shqiptar me veshje karakteristike të asaj periudhe kohe.

Afër tij është një nargjile, të cilën duket se po e tymos, i zhytur thellë në mendime.

Piktura i përket vitit 1865. Ajo vërteton për marrëdhënien e ngushtë që kanë shqiptarët me konsumin e duhanit.

Ashtu si pothuajse çdo gjë tjetër, edhe pirja e duhanit ka evoluar gjatë shekujve në shoqërinë shqiptare.

Nëse shohim përtej historisë, sipas disa të dhënave, për herë të parë duhani është konsumuar nga indigjenët e Amerikës. Ata e kultivonin bimën e duhanit dhe e përdornin për arsye mjekësore apo për rituale të ndryshme.

Duhanpirja ka ekzistuar që në kohët e lashta. Në Evropë, bimën e duhanit mendohet se e ka sjellë Kristofor Kolombi pas udhëtimit të tij në Botën e Re, rreth viteve 1492.

Vetëm në shekullin e XVI, kur diplomati francez Jean Nicot nisi ta popullarizonte pirjen e duhanit, duke i dhënë emrin dhe nikotinës, bima e saj u përhap në të gjithë Evropën.

Jo rrallëherë, në Shqipëri, pirja e duhanit konsiderohet si traditë e të parëve.

Në fakt, një e vërtetë gjendet edhe aty. Po të shohim artin tonë dhe të huaj për shoqërinë shqiptare në shekullin XVII, XVIII dhe XIX apo edhe faktet historike, vëmë re se pirja e duhanit ka qenë ekzistente.

Mjafton të bëhet një kërkim i vogël për Ali Pashë Tepelenën dhe, në shumicën e imazheve, ai shfaqet me një nargjile.

Në imazhet e mbledhura nga Edit Durham (pas viteve 1904), tregohet faza e parë e evoluimit të duhanpirjes. Pirja e duhanit me nargjile, e cila në të vërtetë është pjesë e kulturës perso-osmane, u zëvendësua në atë me duhan të dredhur, pak a shumë si përshtatje nga Perëndimi.

Në atë periudhë kohe, konsumi i duhanit i atribuohej burrit.

Edhe gjatë kohës së mbretit Ahmet Zogu, cigarja nuk u hoq nga gishtërinjtë e shqiptarëve. Madje, edhe vetë mbreti, i cili nëpër shumë gazeta dhe dokumente njihej si “Beqari më i kërkuar”, pinte më shumë se 200 cigare në ditë.

Për këtë anë të mbretit Zog, studiuesi Jason Tomes ka shkruar: “Rutina e zakonshme e këtij gjeniu duhanprirës ishte gjithçka përveçse e shëndetshme”.

Një reporter tjetër shkruante, “ai ishte një oxhak njerëzor” dhe “s’kam parë njeri të pijë aq shumë duhan dhe pa ndërprerje”.

Gjithashtu, në shumë prej fotove të tij, pozon duke mbajtur ndër gishtërinj pipa ose llulla elegante.

Zogu kishte si politikë të veten edhe emancipimin e shoqërisë. Këto ndryshime janë pasqyruar kudo, nga e drejta e grave për të votuar, deri te futja e veshjeve perëndimore nëpër gardërobat e elitës shqiptare.

Reklama e duhanit “Stamles”, duke përdorur një femër për të treguar emancipim, dëshmon qartë sa e rëndësishme ishte tymosja në shoqërinë shqiptare.

Edhe gjatë periudhës së komunizmit, duhanpirja ishte pjesë e së përditshmes. Fabrika të ndryshme përpunimi të duhanit, prodhonin mjaftueshëm sa të furnizonin tregun vendas dhe të eksportonin.

Firmat kryesore të duhanit ishin “Ardian”, “Holta”, “Jon”, “Partizan” etj.

Konsumator i duhanit ishte edhe vetë diktatori shqiptar, Enver Hoxha, i cili në shumë foto paraqitet me duhan.

Çka ndodhur me duhanpirjen pas viteve 1990?

Fundi i regjimit diktatorial shënoi për Shqipërinë edhe krizën e prodhimit të cigareve në vend. Pas vitit 1991, raportohen se në vend u futën me tonelata cigare kontrabandë dhe marka të falsifikuara.

Gjatë mijëvjeçarit të ri, duhanpirja ndryshoi. Tregu shqiptar u njehsua me atë evropian dhe u futën markat më të njohura botërore për prodhimin e duhanit.

Sipas të dhënave nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, del që shqiptarët mbeten konsumatorë besnikë të duhanit. Shqipëria renditet mes vendeve ku konsumohet më shumë duhan, së bashku me Greqinë, Armeninë, Gjeorgjinë dhe Rusinë.

Vendi ka në total rreth 753 mijë duhanpirës, nga të cilët 651 mijë janë meshkuj.

Pasi kanë ndjekur evoluimin e duhanpirjes në shekuj, nga nargjileja, duhani i dredhur, llulla e drurit, pipave dhe cigareve tradicionale, tani shqiptarët po ndjekin trendin e cigareve elektrike.

Prezantimi i IQOS, si një alternativë që nuk e djeg duhanin, por e ngroh dhe si rrjedhojë shmang edhe tymin, ka sjellë që shumë shqiptarë ta “modernizojnë” vesin e të pirit duhan.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore