Lajme

Dugolli: Serbia kishte agjendë të përsosur për ta përshkallëzuar situatën në veri, kriminelët do të përballen me drejtësinë


Enver Dugolli

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, në një paraqitje televizive në Klan Kosova, duke folur për situatën e fundit të barrikadave në veri, tha se kishte tendenca të shpërthimit të një konflikti më të gjerë.

Grupet e caktuara kriminale, sipas Dugollit, të cilët i kishin vendosur barrikadat në lokacione të ndryshme në veri, dirigjoheshin nga Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç

“Situata nuk ishte aspak e mirë, ishte e përshkallëzuar me tendenca të një përshkalëlzimi, të një konflikti, që do të shpinte më pastaj me siguri në një konflikt me përmasa më të mëdha”.

“Ato ishin barrikada nga njerëz të armatosur, të maskuar dhe që kishin një agjendë bukur të përsosur për ta përshkallëzuar situatën”, shtoi ai.

Derisa dukej se situata po shkonte drejt shpërthimit, në prapaskenë ishin zhvilluar negociata dhe Kosova, kishte garantuar se askush nga ata që sulmuan policët, hodhën bomba dhe bllokuan rrugët, nuk do të ndiqet penalisht.

Mirëpo, Dugolli insistoi se ata që kanë shtënë mbi Policinë e Kosovës, gazetarët, qytetarët dhe KFOR-in janë njerëz që duhet e do të ndiqen nga organet e drejtësisë.

“Asnjë lloj marrëveshje nuk ka në lidhje me këtë. Është thënë se gjoja se ekzistojnë lista të persekutimit dhe të ndjekjes së qytetarëve serbë, dhe kjo është mohuar e garantuar se nuk ka lista të tilla”.

“Por, kjo nënkupton që ata njerëz që kanë kryer vepra penale nuk do të ndiqen, ata do të ndiqen sepse kurrkush nuk është mbi ligjin”, shtoi Dugolli.

Ndryshe, raportohej se ishin 16 barrikada në veri të Kosovës, ku për mbi 20 ditë ato bllokuan pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë – Jarinjë dhe Bërnjak.

Vendosja e barrikadave në veri, kishte bllokuar edhe dialogun në Bruksel, i cili u duk se po futej në një fazë përfundimtare me propozimin franko-gjerman.

Qëllimi i vërtetë i Serbisë në Veri që për pak s’u realizua

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore