Sport

Drejtori sportiv i Veronas pas humbjes me Interin: Sot, diçka e turpshme ka ndodhur


Drejtori sportiv i Hellas Verona, Sean Sogliano, ka kritikuar arbitrin në fitoren e Inter-it ndaj skuadrës së tij, pasi një faull i dukshëm ndodhi gjatë golit vendimtar të ndeshjes.

Davide Frattesi shënoi golin e fitores ndaj Verona-s në kohën shtesë, por ndeshja nuk përfundoi me kaq. Thomas Henry pati mundësinë për të shënuar 2-2 në minutën e 99-të, por humbi penalltinë.

Pamjet treguan se gjatë golit të Frattesi-t, Alessandro Bastoni kishte goditur me bërryl një lojtar të Verona-s, por goli qëndroi.

Në konferencën për shtyp pas ndeshjes, menaxheri i Verona-s, Marco Baroni nuk u paraqit. Drejtori sportiv, Sogliano ishte ai që foli duke “nxirë” arbitrimin e ndeshjes.

“Më vjen keq që nuk flas për futbollin, por jam i zhgënjyer nga episodi i fitores 2-1 të Inter-it. Unë nuk jam moralist, Verona vjen çdo vit dhe humbet në ‘San Siro’. Inter-i është një ekip i madh dhe i uroj të fitojë kampionatin”, u shpreh ai fillimisht.

“Por sot kishte një mungesë të madhe respekti ndaj nesh. Të gjithë bëjmë gabime, gjyqtarët, lojtarët, trajnerët, gazetarët, menaxherët i bëjnë ato. Kjo që ndodhi sot është absurde, sepse nëse flasim për VAR është e pakonceptueshme të mos anulojmë një gol për bërryl ndaj një prej lojtarëve tanë”.

“Ndoshta nuk ia vlen dhe unë nuk dua të ankohem, por kjo është një mungesë e bujshme respekti për një qytet, për tifozët, për ne që punojmë shumë kështu çdo ditë. Jam shumë i zhgënjyer, më vjen keq për tonin, por nuk e kuptoj se për çfarë po flasim. Nuk kam bërë kurrë një intervistë për të folur për VAR-in, sepse kam besim tek ju, por sot ndodhi diçka e turpshme”, përfundoi ai.

Nëse çështja do të theksohet më shumë, mbetet për t’u parë, por komentet e Sogliano dërgojnë një mesazh shumë të keq për drejtuesit e ligës dhe me siguri do të tërheqin vëmendjen.

Verona i ‘dhuron’ fitoren Interit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore