Sport

Verona i ‘dhuron’ fitoren Interit


Inter-i ka marrë fitoren e radhës në Serie A pasi ka mundur 2-1 në “Meazza” Hellas Verona-n këtë të shtunë. Skuadrat u përballen për llogari të javës së 19 në Serie A.

Zikaltrit u përballën me Verona-n, në një ndeshje që rezultoi tepër e vështirë për djemtë e Simone Inzaghi-t.

Minutat e fundit në “Meazza” rezultuan një dramë e vërtetë, si për vendasit, ashtu edhe për miqte, pasi panë një gol të shënuar, dy gafa amatoreske, një karton të kuq dhe një penallti të humbur që mund të kishte barazuar ndeshjen.

Takimi nisi mirë për Inter-in që realizoi në minutën e 13 me kapitenin, Lautaro Martinez. Megjithatë, minutat në vijim nuk do te ishin të lehta për zikaltrit.

Verona barazoi duelin në minutën e 74 me golin e Thomas Henry.

Inter-i do të kalonte në avantazh në minutën e tretë shtesë me Davide Frattesi-n. Goli i italianit erdhi pasi një gafe nga portieri mik, i cili gaboi në kontrollimin e topit. Pas rishikimit të rastit në VAR, goli u cilësua i rregullt.

Ndërkohë, Verona mbeti me 10 lojtarë në fushë pasi Darko Lazovic u largua me karton të kuq pas protestave të tepruara.

Zikaltrit kishin një rast të artë për të goditur sërish Verona-n, në një kohë kur gjithë ekipi kundërshtarë, së bashku me portierin, ishte hedhur në sulm, por Nicolo Barella dhe Marco Arnautovic gabuan në momentin e fundit.

Kur ndeshja po shkonte drejt fundit, gjyqtari kryesour u njoftua nga VAR për një ngjarje në zonën e Inter-it dhe pas rishikimit të rastit, u akordua 11 metërsh për miqtë.

Në minutën e 100, Henry, autori i golit të parë të miqëve, mori përsipër ekzekutimin e 11 metërshit të cilin e humbi duke goditur shtyllën.

Dhe, kështu erdhi fundi i takimin, me Inter-in që siguroi tri pikët për të vendosur një diferencë në krye të kampionatit me plus pesë pikë nga Juventus-i i vendit të dytë. Bardhezinjtë përballen me Salernitana-n në duelin e javës së 19 në Serie A të dielën.

Ndërsa, Verona qëndron në vendin e 17 dhe me 14 pikë.

Këtë të shtunë në Serie A do të luhen gjithashtu takimet:

Frosinone – Monza;

Lecce – Cagliari;

Sassuolo – Fiorentina.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore