Lajme

Drecun: Ndryshimi i agjendës do të shkaktoj ‘luftë’ për dominim në dialog


Kryetari i të ashtuquajturit ‘Komitet për Kosovën’ në Qeverinë e Serbisë, Milovan Drecun, ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e mbron vazhdimin e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë jo sipas agjendës së vendosur nga emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, por vetëm në drejtim të përgatitjes së një takimi të ri.

Ai tutje ka deklaruar se Beogradi nga bisedimet me përfaqësuesit e Kosovës pret themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Aktivitet e Qeverisë së Kosovës për bisedimet, Drecun i ka quajtur si platforma të cilat prolongojnë vazhdimin e dialogut.

“Gjithçka që është bërë deri më tani në Prishtinë, është një platformë kundër dialogut. Është interesante që Albin Kurti mbron vazhdimin e bisedimeve, por vetëm në drejtim të përgatitjes së një takimi të ri. Siç thotë ai, ai do të flasë me presidentin Vuçiq për ta përgatitur një takim tjetër”, ka dekalruar Drecun në një emision në Rts.

Sipas Drecun, amerikanët janë të mendimit se epilogu i bisedimeve do të jetë me një njohje të shtetit të Kosovës, ndërsa sa i përket BE-së, konsideron se ata dëshirojnë një zgjidhje tjetër.

“Amerikanët besojnë se këto bisedime duhet të përfundojnë me njohjen e shtetit të rremë të Kosovës nga Beogradi, ose siç thonë ata njohjen reciproke, kurse (BE) Lajçak u desh të shmangte një zgjedhje të tillë për shkak të pesë vendeve të saj që nuk e njohin Kosovën”, ka thënë ai.

‘Asociacioni i Komunave me shumicë serbe në Kosovë-(AKS)’ do të prolongohet duke futur si pika paraprake në bisedime çështjen e personave të zhdukur, kthimin e personave të zhvendosur, pretendimet e ndërsjella financiare por edhe për pronësinë dhe bashkëpunimin ekonomik. Madje, për këtë sipas Drecun, Albin Kurti është akorduar me të deleguarit e SHBA-ve dhe BE-së.

Por, ndryshimin e agjendës sipas tij, Beogradi zyrtar nuk do ta lejoj të ndodh.

“Tani, pas deklaratave të tij dhe përgatitjes së terrenit, Kurti do të pranonte qëndrimin e tij për ta ndryshuar plotësisht agjendën, në mënyrë që Asociacioni i komunave serbe të mos jetë fare në rendin e ditës. Ne nuk do ta lejojmë asnjëherë këtë. Nuk ka asnjë bisedë fare nëse nuk bihet dakord për ta formuar Asociacionin i komunave serbe”, ka thënë ai.

Rreth agjendës së bisedimeve, Drecon ka thënë se do të ketë një ‘luftë’ se cilat pika do të jenë prioritet, ato të Kosovës apo ato të propozuara nga Serbia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore