Shqipëria

Dosja 184 – ILD kërkon shkarkimin e një prokuroreje


Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë, pas kryerjes së hetimit disiplinor mbi dosjen e zgjedheve vendore të Dibrës, njohur me emrin “Dosja 184”, ka kërkuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë masën e shkarkimit nga detyra për prokuroren Belina Zeneli, ndërsa mbi dy të tjerë, çështja është pezulluar.

Sipas njoftimit zyrtar nga ILD-ja, prej ankesës së prokurorit të Përgjithshëm, lidhur me zvarritje të pajustifikuara të veprimeve procedurale për tre magjistratë, është ndërmarrë dhe hetimi disiplinor.

Të tre të hetuarit, janë prokurorë pranë Gjykatës së Dibrës.

Për dy të parët, Xh.M. dhe R.K., provat ishin të pamjaftueshme. Ndërsa, për Zenelin, u kërkua shkarkimi i saj nga detyra.

Në arsyetimin e dhënë, nga ana e saj janë ndërmarrë veprime dhe mosveprime, që përbëjnë mospërmbushje të pajustifikuar dhe të përsëritur të funksioneve gjatë hetimit. Kjo, ka sjellë zvarritjen e pajustifikuar të akteve procedurale.

Si pasojë e këtyre akteve nga ana e magjistratet, nuk i janë dhënë zgjidhje ligjore 33 procedimeve penale. Po ashtu, nuk është kryer asnjë veprim verifikues në lidhje me 300 kallëzime.

Ajo, mësohet se ka zvarritur hetimet paraprake, duke mos i kryer veprimet hetimore në kohë. Shkeljet janë kryer në periudhën 2013-2021, në mënyrë të vazhdueshme.

Po ashtu, sipas hetimeve, këto shkelje janë kryer tërësisht me dashje direkte. Fillimisht, në vitin 2014, ndaj saj është dhënë një masë ndëshkimore “vërejtje me paralajmërim për shkarkim nga detyra”.

Tashmë, masa merr formë të prerë, me kërkesën përfundimtare për shkarkim.

Dosja 184

Dosja 184, e njohur edhe si dosja e vjedhjes dhe shit-blerjes së votave denonconte zgjedhjet e vitit 2016, në Dibër. Kjo dosje u denoncua nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Në përgjime përfshihen edhe deputetë socialistë në biseda me policinë, biznesmenë, persona të dyshimtë dhe të tjerë të paidentifikuar.

Prokuroria ngriti akuza  mbi katër persona për “shpërdorim detyre” dhe “kanosje të zgjedhësve”. Ndërkohë që për pjesën tjetër të personave nën hetim kërkoi pushimin e çështjes për shkak të tejkalimit të afatit trevjeçar nga prokuroria e Dibrës.

Që prej muajit korrik të vitit 2019,  dosja 184  kaloi si “boomerang” nga Prokuroria e Dibrës në Prokurorinë e Tiranës.

Më pas kaloi në Prokurorinë e Krimeve  të Rënda Tiranë dhe në Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Kjo e fundit nuk pranoi ta shqyrtonte duke ia kaluar sërish në kompetencë Prokurorisë së Dibrës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore