Lajme

“Dorëheqja e Smith kamuflim i dështimit të Prokurorisë në Gjykatën Speciale”


Jack Smith

Jack Smith më nuk është kryeprokuror i Prokurorisë Speciale në kuadër të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, kjo pasi që i njëjti, i cili po hetonte ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është liruar nga detyra, për të marrë një të re, atë të Këshilltarit Special nga Prokurori i Përgjithshëm Amerikan, Merrick Garland.

Për avokatin e licencuar nga Gjykata Speciale, Skënder Musa, dorëheqja e Smith për të marrë një detyrë të re duhet të lexohet si kamuflim i dështimit të tij për të hetuar rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Zakonisht dorëheqjet nga institucionet e organeve të hetimeve realizohen në kohën kur duhet të jepet një lloj përgjegjësie”, pohon Musa për Albanian Post.

Smith sa ishte kryeprokuror special shënoi disa skandale si rrjedhja e dokumenteve nga zyra të cilën ai e drejtonte, pastaj fshehja e dokumenteve shfajësuese nga trupi gjykues në rastin e hetimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“E kemi rastin kur rrodhën dokumentet nga Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe për këtë çështje janë dënuar nga shkalla e parë dy persona, në vend se të merren masa ndaj tij Dhomat e Specializuara të Kosovës nuk kanë zhvilluar ndonjë procedurë kundër tij, mirëpo kanë dhënë mundësin që të jep dorëheqje”, ka shtuar ai.

Dorëheqja e Smith, sipas Musës, është treguesi kryesor se Prokuroria në kuadër të Gjykatës Speciale nuk është duke funksionuar.

Skënder Musa

“Tregon neglizhencën e tyre të vazhdueshme dhe në momentin që Gjykata ka vërejtur se nuk kanë mundësi të vërtetimit të akuzave ndaj ish-krerëve të UÇK-së me prova materiale, po ofrojnë dorëheqje”.

Megjithatë sipas tij një taktizim i tillë nuk është etike në njërën anë e as e drejtë në anën tjetër.

“Nëse një kryeprokuror vëren se procesi i hetimeve ka qenë me të meta ligjore nuk duhet me dhanë dorëheqje, por duhet me pas guxim profesional dhe me tregu që nuk kanë prova. Kam bindjen që dorëheqja është si shenjë e pakënaqësisë me hetime dhe pamundësisë për të vërtetuar ato akuzat të ngritura në mënyrë artificiale”, ka shtuar ai.

Jack Smith u lirua nga detyra të premten, për të marrë një detyrë të re, atë të Këshilltarit Special nga Prokurori i Përgjithshëm Amerikan, Merrick Garland, për të mbikëqyrur hetimet penale për ruajtjen e informacionit të mbrojtjes kombëtare në resortin Mar-a-Lago të ish-presidentit Donald Trump dhe pjesë të kryengritjes së 6 janarit 2021.

Ai me të liruar detyrën u zëvendësua nga Alex Whiting.

Alex Whiting do të jetë ushtrues i detyrës së kryeprokurorit të specializuar në Gjykatën Speciale derisa të emërohet një kryeprokuror i ri i specializuar.

“Ai ka të njëjtat kompetenca si prokuror i specializuar dhe nuk do të ketë asnjë ndërprerje në punën e Zyrës së Prokurorisë së Specializuar në asnjë aspekt”, thuhet në njoftimin për media.

I rrodhën dokumente, fshehu provat dhe tejkaloi afatet – për çfarë do mbahet mend Jack Smith në Speciale

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore