Lajme

Dorëheqja e Ramës, Çitaku: Mehaj ka shkelur marrëveshjet ushtarake me SHBA-të


Vlora Çitaku

Ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, ka reaguar pas dorëheqjes së ish-komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama, pasi sipas saj, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka bërë shkelje të rëndë të ligjit dhe marrëveshjeve ushtarake me SHBA-të.

Sipas saj veprimet e tilla të pamatura cenojnë rëndë kredibilitetin e FSK-së.

“Ajo çfarë ka ndodhur javëve të fundit me FSK-në nuk duhet të normalizohet. Ministri Mehaj ka bërë shkelje të rëndë edhe të ligjit, duke kërkuar nga Komandanti i FSK-së që t’i japë asetet e FSK-së për shfrytëzim në operacione policore”, ka shkruar Çitaku në rrjetin e saj në Facebook.

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, ka theksuar se Gjeneral Rama ka merituar të përcillet me nderime dhe ceremoni shtetërore.

Vlora Çitaku dhe Rrahman Rama

“Në vend se të dekorohet, Gjeneral Rama dorëhiqet, pak pa e përmbyllur mandatin. Në fund fare, shteti është edhe ceremoni dhe simbolika. Gjeneral Rama e ka merituar të përcillet me nderime dhe ceremoni, sikurse që Gjeneral Jashari e ka merituar ta pranojë detyrën me ceremonitë që i takojnë një emërimi të tillë”.

Çitka ka uruar edhe sukses dhe mbarësi komandantit të ri të FSK-së, Bashkim Jasharit, duke besuar fuqishëm se ai do ta ruaj integritetin e FKS-së.

“Jam e bindur se do të dalë faqebardhë”, ka shtuar ajo.

Ndryshe gjatë ditës së martë Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, njëherësh komandante supreme e Forcave të Sigurisë së Kosovës, ka emëruar gjeneralmajor Bashkim Jasharin komandant të ri të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në përputhje me kompetencat kushtetuese.

Para emërimit të komandantit të ri të FSK-së, Presidentja e Republikës së Kosovës, mbështetur në dispozitat ligjore, ka dekretuar lirimin nga detyra të komandantit të deritanishëm të FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, pas paraqitjes së dorëheqjes nga ana e tij.

Vjosa Osmani në ceremoninë e emërimit të Komandantit të ri të FSK-së Bashkim Jashari

Si erdhi deri tek dorëheqja?

Mospajtimet midis komandantit të FSK-së dhe ministrit të Mbrojtjes kanë arritur pikën kritike më 18 shtator, dy netë para aksionit të Policisë së Kosovës për të vendosur reciprocitetin për targat me Serbinë.

Mbrëmjen e 18 shtatorit, ministri Mehaj e ka urdhëruar komandën e Forcës së Sigurisë të Kosovës që FSK-ja t’i lyejë katër mjete të blinduara ushtarake M1117 ASV, pronë e FSK-së, me ngjyrë të kaltër, me arsyetimin se do të përdoreshin në mbështetje të aksionit të policisë në veri të vendit.

Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Rrahman Rama e ka refuzuar kategorikisht një kërkesë të tillë, pasi marrëveshja me Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kërkon qartësisht që FSK të jetë përdoruesja e fundit e çfarëdo pajisje ushtarake që ka marrë si ndihmë nga Departamenti i Mbrojtjes.

Edhe kërkesa që ministri Mehaj i dërgon Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, për t’ia lejuar përdorimin e atyre mjeteve të blinduara në operacionin policor merr përgjigje negative.

Pas këtij refuzimi, ministri Mehaj kërkon përdorimin e gjashtë mjeteve të blinduara Otocar Cobra, që Forcës së Sigurisë të Kosovës i janë dhënë si ndihmë nga Turqia dhe që kanë po të njëjtën dispozitë, sipas së cilës FSK-ja është përdorues i fundit i tyre.

Edhe këtë kërkesë, në formë urdhëri, duke iu referuar marrëveshjes, ka refuzuar ta përmbushë Gjenerallejtënant Rama. Këto kanë bërë që raportet midis komandantit të FSK-së dhe ministrit të Mbrojtjes të prishen shumë. Dhe për pasojë ka nisur procedura e shkarkimit të tij.

Komandanti i ri i FSK-së, Bashkim Jashari

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore