Shqipëria

Dokumentari i Rai-t, Rama: Kur sulmohet Shqipëria, e pamundur të mos reagoj


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dokumentarin e emisionit Report në Rai 3, e ka parë si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj Shqipërisë.

Kjo – sipas Ramës – është edhe arsyeja e reagimit të tij.

“Jam mësuar me sulmet dhe të them të drejtën nuk më bëjnë përshtypje si sulme dhe nuk më prekin se janë sulme, por në këtë rast si në çdo rast kur sulmohet Shqipëria, kur përbaltet Shqipëria, kur Shqipëria iu paraqitet të huajve nga të huajt në një dritë të tillë unë revoltohem”, tha kryeministri i vendit për “Report Tv”.

Kreu i Qeverisë theksoi se nëse do kishte qenë për të personalisht nuk do kishte bërë asnjë reagim.

“Siç nuk bëra asnjë reagim që aty ishte përfshirë edhe familja ime, madje edhe pastaj sqarova që nuk po hyj tek ajo pjesë. Por kur sulmohet Shqipëria është e pamundur që unë të mos reagoj”.

Për numrin një të Qeverisë, emisioni “ishte një produkt që dukej si i nxjerrë nga magazinat e errëta të kohës së palavdishme të kohës italiane, ku sa herë fliste albanesi, fliste vrasës, fliste për prostituta, fliste për hajdutë dhe për Shqipërinë si atdheu i krimit dhe i të gjithë të këqijave”.

“Se ndër shumë gënjeshtra që u thanë aty, u tha edhe një gënjeshtër shumë e madhe, që viktima e atij agresioni dhe viktima kryesore ishte sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave kishin refuzuar të përgjigjeshin, kishin refuzuar te jepnin opinionin e tyre. Ndërkohë që e kundërta është e vërtetë. Kam marrë përgjigje me shkrim, sepse pyetjet janë dërguar me shkrim në kohën e duhur, në afatin e përcaktuar prej atyre vetë”.

Më tej, në komentin e tij Rama theksoi se viktima kryesore e këtij sulmi ishte sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi.

“Nuk e di që avokatët në sistemin e të drejtës mbrojnë shenjtorët”, tha kryeministri lidhur me akuzat se Agaçi ka qenë avokat i narkotrafikantëve.

Në intervistë Rama dha detaje nga komunikimi me drejtorin e Rai-t, për të cilin tha se nuk ishte ankesë.

“Nuk komunikova me drejtorin për t’iu ankuar për ndonjë gjë që është punë e gazetarëve, por për ti bërë me dije se një skandal i madh etik ka ndodhur pasi përmes ekranit ju është përcjellë të gjithë atyre që e kanë ndjekur në Shqipëri dhe Itali një gënjeshtër e pafalshme për burimet e informacionit”.

Kjo referuar përgjigjeve të dhëna nga Agaçi, të cilat nuk u pasqyruan në dokumentar.

Rama i përgjigjet sërish Rai-t: Mos bini pre e gabimit të parë, mbylleni këtë faqe jo të lavdishme

Edhe gjatë ditës së sotme Rama pati një reagim duke replikuar drejtpërdrejt me drejtuesin e emisionit, Sigfridio Ranucci dhe duke i thënë se ka ardhur koha ta mbyllë këtë faqe jo të lavdishme, të një serie “të shpifur” për Shqipërinë.

Vetë Ranucci, një ditë më parë, iu kundërpërgjigj një reagimi fillestar të Ramës mbi emisionin, duke thënë se do të ketë një seri tjetër të thelluar rreth Shqipërisë.

Në kontekst, Report trajtoi çështjen e emigrantëve dhe marrëveshjes Rama-Meloni, por përfshiu në pjesën më të madhe akuza për kapjen e shtetit shqiptar nga mafia dhe përfshirje në vepra korruptive nga zyrtarët e lartë.

Ndër emrat më të përfolur, ishte ai i sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi, ku edhe ky i fundit i është përgjigjur emisionit, duke thënë edhe se do të ngrejë padi.

Por, Rama, me reagimin e fundit, shkon më tej dhe i këshillon drejtuesit të emisionit Report, Ranucci, që të mos vijojë me gabimet e emisionit të parë, por të mbyllë një herë e mirë këtë faqe të palavdishme, pse jo edhe duke publikuar reagimin e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore