Lajme

Dokument: Marrëveshja dhe procesi në Bruksel nuk janë për njohje reciproke, janë për bashkëjetesë paqësore


Foto nga Albanian Post

“Në takimin e 18 gushtit ia bëra të qartë Josep Borrell-it dhe Aleksander Vuçiç-it që Kosova s’do të pranojë më një dialog që nuk është për një marrëveshje përfundimtare mbi njohjen e ndërsjellë”, pati thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën parlamentare të 18 shkurtit, kur me kërkesën e  Partisë Demokratike të Kosovës parlamentarët u mblodhën që të diskutojnë për dialogun.

Por, në Marrëveshjen e fundit të arritur me pajtim gojor në Bruksel, të prezantuar më pas në 11 nene nga Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, nuk është njohja brenda.

Në një dokument të fundit të siguruar nga Albanian Post – i cili më shumë ka preokupim implementimin e Nenit 4 të marrëveshjes – në fillim jepet një pasqyrë e përgjithshme e gjithë dokumentit që tashmë zyrtarisht është emëruar “Marrëveshja për rrugën e Normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë” dhe aty tregohet qartësisht që qëllimi i këtij pajtimi nuk ishte dhe nuk është njohja reciproke.

“Frymëzuar nga Marrëveshja Bazike e vitit 1972 e dy-Gjermanive, ‘Marrëveshja për Rrugën e Normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë’ nuk është për njohje reciproke. Është për bashkëjetesën paqësore dhe bashkëpunimin”, thotë dokumenti i harmonizuar nga diplomatë të involvuar thellë në procesin e hartimit të dokumenteve për marrëveshjen.

Dokument – Ekskluzive: Përpilohet një shtojcë e re në udhërrëfyes për ta tejkaluar ngërçin e Nenit 4, hartuesit i tregojnë Vuçiç’it se e ka keqlexuar paragrafin

Siç dihet tashmë, marrëveshja është e bazuar në atë të dy-Gjermanive të vitit 1972 dhe dokumenti pikërisht këtë shembull merr për të sqaruar se njohja s’është opsion.

“Republika Federale e Gjermanisë (BRD) asnjëherë nuk e ka njohur Republikën Demokratike Gjermane (DDR) dhe anasjelltas”, thotë dokumenti.

“Gjithsesi, Marrëveshja Bazike e 1972 u mundësoi të dy-Gjermanive ta pranojnë realitetin e ekzistimit të tjetrit. U mundësoi gjithashtu vendeve perëndimore (aleatëve të BRD) të zhvillojnë raporte me DDR-in. Njëlloj, Marrëveshja për Rrugën e Normalizimit të raporteve i mundëson Kosovës dhe Serbisë ta pranojnë realitetin e ekzistimit të tjetrit. E bën gjithashtu më të lehtë për vendet tjera (njohëse dhe mos-njohëse) që të zhvillojnë raporte me të dyja palët”, sqaron dokumenti.

Aty thuhet gjithashtu se natyrshëm që prospekti është për një të ardhme ku edhe do të mund të ishte njohja si përmbyllje, por aktualisht procesi s’është për diçka të tillë.

“Nëse Serbia dhe Kosova vazhdojnë me përkushtimin e tyre për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian, në një pikë së shpejti, normalizimi i plotë përmes njohjes së ndërsjellë do të vijë në pah natyrshëm”, gjithsesi, vazhdon dokumenti, “për tani, bashkëjetesa përmes bashkëpunimit dhe raporteve paqësore, pavarësisht diferencave, është krejt çfarë kërkon komuniteti ndërkombëtar nga Serbia dhe Kosova”.

Afërsisht të njëjtën e ka komunikuar edhe zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, i pyetur nga një gazetar se a është njohje de facto për Kosovën nga Serbia marrëveshja e Brukselit.

Jo”, tha Stano prerazi, por ai vazhdojë duke shtuar se as vetë procesi nuk kërkon diçka të tillë.

“Qëllimi i dialogut nuk është njohja, objektivi i dialogut është normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe sa i takon përmbajtjes së normalizimit është e vendosur nga dy palët”, tha Stano.

Para se të niste udhëtimet drejt Brukselit, kryeministri Kurti e kishte përçmuar një dialog ku nuk bisedohet për çështjen kryesore – njohjen e ndërsjellë.

Prandaj, edhe në Programin Qeveritar thuhet se do të diskutohet për marrëveshje finale dhe se synimi i kësaj marrëveshje “do të ketë brenda të gjitha çështjet e pazgjidhura që nga sukcesioni i ish Federatës Jugosllave në të cilën Kosova ishte element konstituiv”.

Përtej njohjes nga Serbia, programi thoshte edhe se “marrëveshja finale përveç çështjeve ndërshtetërore do të përfshijë edhe njohjen reciproke mes shteteve, njohjen nga pesë vendet e mbetura të BE-së si dhe anëtarësimin në OKB”.

Dokumenti i siguruar nga AP

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore