Lajme

Dodik: Pjesa tjetër e Bosnjës do shkëputet nga Republika Srpska, jo ne prej tyre


Millorad Dodik

Presidenti ultra-nacionalist i Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – Millorad Dodik, përsëri ka folur për shkëputjen e RS-së nga BeH, këtë herë duke ironizuar se pjesa tjetër e BeH-së së shpejti do të shkëputet nga RS.

“Mendoj se pjesa tjetër e Bosnje e Hercegovinës do të shkëputet nga RS, dhe jo ne prej tyre”, ka thënë Dodik për mediat kroate, transmeton “Oslobodenja”.

Dodik në këtë intervistë ka folur edhe për marrëdhëniet me Presidentin kontrovers të Kroacisë, Zoran Milanoviç, duke thënë se ai është një politikan konsekuent “që i kupton mirë gjërat dhe se ndajnë të njëjtat vlera”.

“Milanoviç është president konsekuent. Më pëlqen të flas me të. Ai është gjithmonë informal dhe prandaj është interesant. Një njeri që mbron interesat e vendit të tij. Ajo [Kroacia] është gjithashtu nënshkruese e Marrëveshjes së Dejtonit dhe rrjedhimisht garantuese e asaj marrëveshjeje. Ajo u përjashtua padrejtësisht, si Serbia, nga procesi i vendimmarrjes nëpërmjet Aleancës për Zbatimin e Paqes në BeH”, pretendoi Dodik.

“Kjo e vuri në anash Kroacinë për sa i përket Bosnje e Hercegovinës, siç ishte Serbia, dhe disa të tjerë u vendosën në pozitë për të vendosur diçka. Mendoj se presidenti Milanoviç e kupton shumë mirë këtë dhe se ne ndajmë të njëjtat vlera”, shtoi.

Ndryshe, Dodik, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar, vazhdimisht është duke bërë thirrje dhe ndërmarrë veprime destabilizuese në BeH, që janë në kundërshtim me Marrëveshjen e Dejtonit [Marrëveshja që i dha fund luftës në BeH, më 1995], dhe kundër rendit kushtetues të BeH-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore