Zgjedhjet në Kosovë

DnV: Në pjesën e dytë të ditës – dalje më e ulët në votime krahasuar me raundin e parë


Ilustrim

Demokracia në Veprim (DnV), që është koalicioni vendor i organizatave jo-qeveritare për vëzhgimin e zgjedhjeve, ka njoftuar se në pjesën e dytë të ditës së 14 nëntorit, “entuziazmi i qytetarëve për të votuar për kryetar të komunës është më i ulët sesa në raundin e parë”.

“Sipas raportimeve të vëzhguesve të DnV-së, pjesëmarrja e qytetarëve në votime deri në orën 15:00 është 23.6 për qind, rreth dy për qind më e ulët se në raundin e parë të zgjedhjeve”, thuhet në njoftimin e DnV-së.

Komunat me daljen më të madhe vazhdojnë të jenë Mamusha (45 për qind), Juniku (41 për qind) dhe Kllokoti (37 për qind), ndërsa dalja më e ulët deri në 15:00 është regjistruar në komunën e Prizrenit (19 për qind) dhe Dragashit (17për qind).

“Fushë Kosova, Obiliqi, Rahoveci, Vushtrria dhe Mamusha janë ndër komunat që krahasuar me daljen e votuesve në raundin e parë, kanë shënuar rënien më të madhe. Rritje domethënëse në trendin e votimit, krahasuar me raundin e parë, është shënuar në Junik, Podujevë dhe Shtime”, vijon njoftimi.

Ilustrim

Ndërkaq, trendi i njëjtë i mosrespektimit të masave mbrojtëse kundër COVID-19 “ka vazhduar edhe gjatë pjesës së dytë të ditës, si nga ana e stafit zgjedhor ashtu edhe nga qytetarët”.

“Me rritjen e daljes në zgjedhje të votuesve, janë rritur edhe rastet kur të njëjtit kanë hasur vështirësi në gjetjen e emrit në Listën e Votuesve. Ky fenomen është raportuar në rreth 35 për qind të vendvotimeve, me deri në 10 raste të raportuara në secilin prej tyre”.

Sa i përket votimit me asistencë, trendi ka vazhduar të rritet eksponencialisht që nga orët e paradites, “duke bërë që ky fenomen të jetë i shprehur pothuajse në secilin vendvotim”.

“Madje, në mbi 30 për qind të vendvotimeve janë regjistruar deri në 50 raste të votimit me asistencë”.

“Ky koalicion ka vëzhguar të gjitha proceset zgjedhore që nga 2007. Për vëzhgimin e raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, 14 nëntor, DnV ka angazhuar 90 vëzhgues”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore