Kosova

Djilas: Vuçiç nxit ndjenjat e luftës kundër Kosovës


Dragan Djilas

Kryetari i Partisë për Liri dhe Drejtësi (SPS) dhe udhëheqësi i listës opozitare “Serbia kundër dhunës”, Dragan Djilas, në një opinion të botuar në gjigandin mediatik amerikan “Politico” të mërkurën, ka thënë se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, në mënyrë ciklike nxit ndjenjat e luftës kundër Kosovës, posaçërisht në mesin e qytetarëve nacionalistë serbë.

“Në të njëjtën kohë, ai nxit ndjenjat e luftës kundër Kosovës, duke pretenduar se kushdo që nuk pajtohet me të është tradhtar. Dhe ai ka kontrolluar pjesën më të madhe të hapësirës mediatike në Serbi për më shumë se një dekadë”, ka shkruar kryetari i SPS-së, derisa ka kritikuar bashkësinë e organizuar perëndimore për lejimin e manovrave të presidentit serb.

Djilas, duke komentuar mbi vendimin e Qeverisë së Serbisë për njohjen e targave kosovare – rezultat i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE) – ka theksuar se Vuçiç i jep gjithmonë bashkësisë së organizuar perëndimore diçka për ta larguar vëmendjen nga zhvillimet aktuale në Serbi.

“Serbia ka rritur prodhimin e municioneve që dërgohen në Ukrainë, duke rritur ndjeshëm furnizimet. Dhe Vuçiç ka kërkuar gjithashtu mënyra për të ringjallur minierat e litiumit – diçka nga e cila BE-ja mund të përfitojë ndjeshëm, sepse do të lejonte rimbushjen e një burimi jetik në një kohë të tensionit dhe konkurrencës gjeopolitike në rritje”, ka shkruar ai.

Ai ka nënvizuar se në kohën kur Serbia drejtohej nga i akuzuari për krime lufte, Sllobodan Millosheviç, bashkësia e organizuar perëndimore nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) – ka mbështetur ndryshimet demokratike në vend, por se tani, ndërsa Serbia po rrëshqet drejt autokracisë nën Vuçiçin, ky angazhim duket se ka përfunduar.

Perspektiva e demokracisë në Serbi është ende e pasigurt. Gjithashtu, mbetet e paqartë nëse Serbia nën regjimin autokratik të Vuçiçit, do të ndjekë politika të favorshme ndaj stabilitetit rajonal. Serbia, gjatë gjithë historisë, ka marshuar sipas një daulleje krejt të ndryshme nga perëndimi, duke rreshtuar veten krah fuqive hegjemoniste – Rusisë dhe Kinës.

“The Guardian”: Serbia shtet i kapur e problematik – instinktet politike të Vuçiçit janë farkëtuar në epokën e Millosheviçit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore