Pajisje

DJI hedh poshtë akuzën se ushtria ruse përdor dronët e kompanisë në Ukrainë


Prodhuesi kinez i dronëve DJI i ka hedhur poshtë akuzat se ushtria ruse po përdor dronët e tij në Ukrainë, duke i quajtur ato “krejtësisht të rreme”.

E gjitha pasi një shitës gjerman me pakicë ka cituar një informacion të tillë si arsyen për heqjen e produkteve të tij nga raftet.

Ky refuzim pasoi atë nga gjiganti gjerman i elektronikës dhe pajisjeve shtëpiake, MediaMarkt, si një përgjigje ndaj “informacionit nga burime të ndryshme”.

Paçka se ai nuk ofroi detaje.

“DJI promovon aplikacione për drone civile që sjellin përfitime në shoqëri”, ka thënë kompania kineze, duke shtuar se akuza e MediaMarkt është e rreme.

“Ne nuk mbështesim asnjë përdorim që dëmton jetën, të drejtat dhe interesat e njerëzve”, ka shtuar kompania.

Sakaq, MediaMarkt, e cila drejton më shumë se 800 dyqane në 12 vende evropiane dhe Turqi, nuk ka treguar se çfarë informacioni ka siguruar në lidhje me DJI-në.

“Si një kompani përgjegjëse, kemi marrë masa të menjëhershme dhe kemi hequr prodhuesin nga gama e produkteve në të gjithë grupin deri në një njoftim të mëtejshëm”, ka thënë ajo.

“Ne do të shqyrtojmë nga afër indikacionet dhe zhvillimet e mëtejshme”, ka vijuar deklarata.

Kurse masën e ka cilësuar “një sinjal të qartë për vlerat që kanë prioritetin më të lartë” për kompaninë.

Në krahun tjetër, përdoruesit e këtyre dronëve të DJI-së variojnë nga ata që e kanë fotografinë për hobi deri te repartet e zjarrfikësve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pasi Rusia nisi luftën në Ukrainë, kompania është gjendur në një pozicion të pakëndshëm.

Teksa firmat perëndimore janë tërhequr nga Rusia në shenjë proteste, DJI ka qëndruar, si shumë kompani të tjera kineze.

Kjo duke marrë shkas nga qëndrimi i Pekinit për t’u përmbajtur nga kritikat ndaj Moskës për pushtimin.

Marrë nga “Reuters”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore