Lajme

“Dita e Forcës”, Mehaj bën homazhe tek Kompleksi Memorial “Adem Jashari”


Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës.

Në shënimin e Ditës së Forcës, 27 nëntorin, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka bërë homazhe pranë varrit të komandantit legjendar, Adem Jashari dhe familjes Jashari, në Memorialin përkujtimor në Prekaz.

Mehaj gjatë kësaj vizite ka qenë i shoqëruar nga zëvendësministrat Shemsi Syla dhe Adnan Rexheplar si dhe komandantin e Forcave të Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama.

Ministri i Mbrojtjes gjatë këtij takimi u shpreh se do të bëjnë përpjekje për të garantuar një të ardhme të sigurt.

“Duke respektuar të kaluarën tonë të lavdishme, gjakun e derdhur të familjes Jashari, dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe gjithë dëshmorëve të rënë për liri, garantojmë të ardhme të sigurt të vendit dhe do të jetë burim frymëzimi të atdhedashurisë për brezat e ardhshëm”, ka deklaruar Mehaj.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës.

Gjithashtu, Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK), me rastin e Ditës së Forcës duke filluar nga ora 11:00 deri në ora 14:00 organizojnë “Ditën e Hapur”.

Manifestimi qendror do të jetë në Kazermën “Adem Jashari” në ora 10:00, ku do të marrin pjesë udhëheqësit më të lartë shtetërorë.

Në të njëjtën ditë, në të gjitha kazermat e FSK-së si në: Prishtinë, Mitrovicë, Istog, Gjilan, Prizren, Ferizaj dhe Pomozotin, para qytetarëve të pranishëm do të ekspozohen dhe demonstrohen aftësitë dhe kapacitetet ushtarake e FSK-së të shoqëruara edhe me aktivitete tjera.

“Dita e Forcës na ofron mundësinë të falënderojmë dhe shprehim mirënjohjen më të lartë për qytetarët, të cilët janë mbështetësit tanë më të fuqishëm”, thuhet në njoftim e ministrisë së Mbrojtjes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore