Lajme

Presidentja Osmani përgenjështron lajmin se ajo premtoi toka në këmbim të ftesës për Samitin e Demokracisë në SHBA


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një postim në Facebook, ka reaguar ndaj disa mediave kosovare për lajmin e publikuar kinse ajo ka premtuar toka për Manastirin e Deçanit në shkëmbim të ftesës për Samitin për Demokraci në SHBA.

E para e vendit e ka quajtur gënjeshtër një gjë të tillë.

Ajo ka paralajmëruar se do të ngritë padi ndaj mediave kosovare që kanë publikuar një lajm të tillë.

“Qysh nesër do të ndërmarrë të gjitha masat për ngritjen e padisë kundër këtyre portaleve dhe kujtdo tjetër që ka publikuar apo publikon një propagandë të tillë”, ka shkruar presidentja Osmani.

Ajo ka thënë se Kosova ka merituar të ftohet sepse është vend demokratik.

“Miqtë tanë amerikanë nuk janë ata që ndonjëherë kanë kërkuar toka të Kosovës”.

Ajo për fund ka thënë se koha e atyre politikanëve që qesin në treg tokën e Kosovës ka “perënduar njëherë e përgjithmonë”, ka shkruar ajo.

Ndërsa të premten e 12 nëntorit është raportuar nga Zëri i Amerikës në gjuhën serbe se Kosova do të marrë ftesë nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Joe Biden, për pjesëmarrje në Samitin për Demokraci.

Ky mediumi megjithatë ka thënë se ende s’e ka marrë një konfirmim zyrtar për këtë informacion.

Disa javë më herët, mediumi amerikan “Politico” publikoi një listë prej 100 shtetesh që janë ftuar nga Bideni për Samitin e dhjetorit. Aty nuk figuronin Kosova, Serbia dhe Bosnja nga Ballkani dhe kjo nxiti reagime të opozitës dhe shoqërisë civile.

Një grup i organizatave joqeveritare nga Kosova, ka kërkuar përmes një letre që Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) të shqyrtojnë ftesën për Kosovës që të marrë pjesë në Samitin për Demokraci, të organizuar më 9 dhe 10 dhjetor nga presidenti amerikan, Joe Biden.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore