Lajme

Digjen tre transformatorë të rrymës në Prishtinë


KEDS ka njoftuar se vetëm të shtunën, si pasojë e mbingarkesës, janë djegur tre transformatorë në rajonin e Prishtinës.

“Përkundër angazhimit maksimal të ekipeve tona për të sanuar dëmet dhe për të rikthyer furnizimin me energji tek ata konsumatorë që po afektohen me ndërprerje të energjisë si pasojë e mbingarkesës, rrjeti elektrik nuk po arrin të përballoj konsumin e lartë në zona të caktuara”, thuhet në njoftimin e KEDS-it në Facebook.

Sipas KEDS-it, vetëm në distriktin e Prishtinës, “ekipet tona gjatë ditës së sotme janë detyruar të zëvendësojnë tre (3) transformatorë, njëri pas tjetrit, pasi që kërkesa enorme nuk ka arritur të përballohet, përkundër ngritjes së kapacitetit në transformatorë”.

“Njëjtë po ndodh edhe në distrikte tjera anekënd Kosovës”.

“KEDS është duke bërë përpjekje maksimale në terren mirëpo nevojitet bashkëpunimi i ngushtë i konsumatorëve përmes kursimit të energjisë, shfrytëzimit racional të saj dhe rikthimit gradual të pajisjeve shtëpiake në funksion pas rikthimit të energjisë, në mënyrë që të mundësohet funksionimi i mirëfilltë i sistemit elektro-energjetik”.

Ndërkaq për reduktimet e rrymës ditëve të fundit në Kosovë janë paralajmëruar dy protesta për të hënën.

Njëra nga protestat do të zhvillohet përpara zyrave të KEDS-it në Prishtinë.

Kjo protestë e organizuar nën parullën “Rrymë pa reduktime”, do të mbahet të hënën në ora 13:00.

Deri më tani 384 persona e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë protestë, ndërsa mbi 930 të tjerë janë shprehur të interesuar për aktivitetin protestues.

Nga ana tjetër Qeveria e Kosovës të premten e 24 dhjetorit ka shpallur gjendje emergjente të krizës energjetike në Kosovë duke shpallë masa emergjente për kufizimin me energji elektrike në kohëzgjatje prej 60 ditësh.

Ky vendim nga ana e Qeverisë erdhi pasi Kosovën e ka përfshirë kriza energjetike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore