Shëndet

Dieta me proteina, probleme te gratë shtatzëna


Të ndjekësh një dietë të shëndetshme, është shumë e rëndësishme për zhvillimin e foshnjës gjatë një shtatzënie. Shumë nëna përpiqen të mbajnë dieta të ndryshme.

Por kequshqyerja e tyre është e lidhur me rrezikun më të lartë të anemisë gestacionale, hipertensionit, aborteve spontane dhe vdekjeve të fetusit, lindjes para kohe, madje edhe vdekshmërisë amtare.

Një grua shtatzënë ka nevojë për më shumë lëndë ushqyese të caktuara, si: proteina, hekuri, acid folik, kalcium, vitaminë D dhe jod për rritjen dhe zhvillimin e shëndetshëm të foshnjës.

Të ushqyerit jo siç duhet gjatë shtatzënisë mund të çojë në probleme shëndetësore, si për nënën, ashtu edhe për foshnjën e saj.

Disa studiues nga Universiteti Capmpinas (UNICAMP) në shtetin e San Paulo-s, Brazil, kanë zbuluar shkakun e problemit molekular.

Ata kanë bërë një lidhje mes proteinave të ulëta gjatë shtatzënisë, me foshnja që kanë lindur nën peshë dhe që janë më të ndjeshëm ndaj zhvillimit të problemeve të veshkave.

Në rezultatet e studimit të botuara në PLOS ONE, studiuesit vunë në dukje se, midis 10% dhe 13% të popullsisë botërore vuajnë nga sëmundje kronike të veshkave, një humbje graduale e pakthyeshme e funksionit renal, që shoqërohet me presion të lartë të gjakut dhe çrregullime kardiovaskulare.

Studimi u krye në Qendrën e Kërkimit të Obezitetit dhe Komorbiditeteve (OCRC).

Efektet e dietës me proteina të ulëta në zhvillimin e fetusit

Sipas autorëve të studimit, marrja e ulët e proteinave gjatë shtatzënësisë tenton të çojë në një rënie prej 28% të numrit të nefronëve të pasardhësve, strukturave që filtrojnë gjakun në veshka. Një veshkë e shëndetshme ka rreth një milion nefrone. Mbingarkesa që rezulton nga nefronet ka disa pasoja.

Për të kuptuar në nivelin molekular çfarë shkaktoi zvogëlimin e numrit të nefroneve, studiuesit analizuan shprehjen e miRNA-ve dhe gjeneve të synuara në veshkat fetale (metanephros) të minjve në 17 ditët e shtatzënisë. Mikro ARN (shpesh të quajtura miRNA) janë ARN të vogla jo-koduese, që rregullojnë shprehjen e gjeneve.

Ndërsa një grup minjsh ushqehej me një dietë të rregullt me ​​proteina (17% të marrjes ditore të kalorive) grupi tjetër i ushqyer ishte me një dietë me proteina të ulëta (6%) gjatë shtatzënësisë.

Pas analizës së veshkave fetale në të dy grupet, studiuesit gjetën ndryshime në 44 miRNA – shtatë, prej të cilave në gjene të shoqëruara me përhapjen dhe diferencimin e qelizave thelbësore për zhvillimin e nefronit.

Më tej, renditja gjenetike, imunohistokimia dhe analiza morfologjike treguan se kufizimi i proteinave të nënës ndryshoi shprehjen e miRNA-ve dhe proteinave të përfshira në zhvillimin e veshkave që në ditën e 17-të të shtatzënisë.

Kjo u shton provave se rënia e numrit të nefroneve nuk është një efekt gjenetik, por një epigjenetik (ndryshime në shprehjen e gjeneve për shkak të faktorëve mjedisorë, siç janë stresi, ekspozimi ndaj toksinave ose kequshqyerja, ndër të tjera). Në këtë rast, shprehja e gjeneve ndryshohet nga stresi i hipoproteinemisë, thanë studiuesit.

Si të rrisni marrjen tuaj të proteinave?

Rekomandohet që nënat shtatzëna dhe ato gjidhënëse të marrin rreth 71 gramë proteina në ditë,  që është afërsisht 25 gramë më shumë sesa ato që nuk janë shtatzënë ose që ushqejnë me gji. Mosngrënia e mjaftueshme e proteinave gjatë shtatzënësisë gjithashtu mund të bëjë që të shtoni më shumë peshë dhe do ta keni më të vështirë për të mbajtur nivelet e sheqerit në gjak në trakt, si dhe t’ju bëjë më të predispozuar ndaj sëmundjeve.

Siç u përmend më lart, proteina është thelbësore për rritjen e foshnjës suaj gjatë gjithë shtatzënisë. Pra, sigurohuni që të merrni mjaft lëndë ushqyese gjatë shtatzënësisë. Burime të mira të proteinave përfshijnë mish shpeze, peshk dhe vezë. Opsione të tjera përfshijnë fasulet dhe bizelet, arrat, farat dhe produktet e sojës.

Përshtatur nga BBC për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore