Sport

Diego Costa pritet t’i bashkohet Arsenal-it


Diego Costa i dha lamtumirën e fundit klubit të Atletico Mineiro-s, aty ku u transferua në janar të vitit të kaluar.

Në këtë mënyrë, braziliani 33 vjeçar do të mbetet një futbollist pa klub, ku mund të nënshkruajë me ndonjë ekip të ri me parametra zero.

Sipas asaj që raporton “The Sun”, Costa është ndërlidhur me një rikthim në kampionatin anglez, ku Arsenal-i po shfaqë interes për të nënshkruar me të.

Arsenal-i ka nevojë për një sulmues, pasi që Pierre-Emerick Aubameyang duket shumë pranë largimit nga ekipi londinez.

Sulmuesi tjetër, Alexandre Lacazette, gjithashtu ka vetëm gjashtë muaj të mbetur në kontratën e tij aktuale dhe me shumë gjasa edhe ai do të largohet nga “topçinjtë”.

Ndërsa, prioritet i Arsenal-it mbetet sulmuesi i Fiorentina-s, Dusan Vlahovic, për të cilin thuhet se janë gati të shpenzojnë rreth 70 milionë euro.

Mirëpo, trajneri Mikel Arteta, ka thënë se dëshiron të ketë në skuadër një sulmues me përvojë, që në këtë rast Diego Costa do të plotësonte kriteret.

Diego Costa e ndihmi Miniero-n të shpallej kampion në Brazil pas një pritje prej 50 vjetësh, ku sulmuesi brazilian pati 19 paraqitje, duke shënuar pesë gola.

Ai komunikoi largimin nga kampionët e Brazilit përmes një postimi në rrjetet sociale, teksa tha se ai plotësoi një ëndërr fëmijërie.

“Falënderoj të gjithë Massa Atleticana për mbështetjen dhe dashurinë që kam marrë nga dita e parë deri në ditën e fundit”, theksoi Costa.

“Faleminderit shumë që jeni pjesë e ëndrrës sime të fëmijërisë për të luajtur në futbollin brazilian dhe për të fituar tituj”, tha mes tjerash sulmuesi brazilian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore