Sport

Diego Costa gati për aventurën e dytë në Premier Leauge


Sulmuesi i famshëm me origjinë braziliane, Diego Costa, pritet që ta nisë aventurën e tij të dytë në Premier Leauge.

Sipas raportimeve të fundit, të martën Costa do të udhëtojë në Angli për t’iu nënshtruar një ekzaminimi mjekësor dhe për të vlerësuar gjendjen e tij fizike, para se të firmosë kontratën me klubin e Wolverhampton.

Këta të fundit janë në urgjencë për një sulmues, pasi Sasa Kalajdzic pësoi një dëmtim të rëndë në ndeshjen e tij debutuese kundër Southampton-it në këtë fundjavë dhe pritet të mungojë një kohë të gjatë.

Kështu, Raul Jimenez mbetet i vetmi qendërsulmues në dispozicion të trajnerit të “Ujqërve”, Bruno Lage.

Kujtojmë që Diego Costa është pa klub që nga muaji janar kur u largua nga ekipi brazilian, Atletico Mineiro.

Në rast se transferohet te Wolves, kjo do të jetë aventura e dytë e 33-vjeçarit në futbollin anglez, pasi që më herët kishte luajtur për Chelsea-n.

Ai ishte transferuar te blutë e Londrës në verën e vitit 2014 nga Atletico Madrid-i për 38 milionë euro.

Me fanellën e Chelsea-t, Costa luajti 120 ndeshje në të gjitha garat, ku shënoi 59 gola dhe dhuroi 23 asistime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore