Sport

Di Maria dhe Rabiot janë largimet e para të verës nga Juventus-i


Angel Di Maria dhe Adrien Rabiot pritet të jenë dy futbollistët që do t’i përgatisin të parët valizhet për t’u larguar nga Juventus-i këtë verë.

Mediat italiane raportojnë që dy futbollistët nuk kanë arritur marrëveshje për zgjatjen e kontratave që të dyve iu skadon në fund të sezonit.

Derisa për Rabiot largimi thuajse dihej prej kohësh (palët nuk arritën marrëveshje), e njëjtë gjë nuk ishte për Di Maria-n, i cili besohej se do të jetë pjesë e bardhezinjve edhe për sezonin e ardhshëm.

Megjithatë, mediat italiane bëjnë të ditur se palët kanë ndërprerë negociatat për vazhdimin e kontratës, pasi argjentinasi nuk është i sigurt për të ardhmen e tij.

Bazuar në këtë, 35-vjeçari po dëshiron që karrierën ta vazhdojë diku tjetër dhe tashmë është në pritje të ofertave nga skuadrat tjera.

Kujtojmë që ish-futbollisti i PSG-së iu bashkua bardhezinjve në verën e kaluar, pasi skadoi kontrata me Parisin dhe firmosi vetëm për një vit me ekipin nga Serie A.

Në edicionin e tij të parë te Juventusi, Di Maria ka tetë gola e shtatë asistime në 37 paraqitje deri më tani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore