Lajme

Dhjetëra emigrantë të vdekur pas përmbytjes së një varke në Greqi


Të paktën 78 emigrantë janë mbytur dhe mbi 100 të tjerë janë shpëtuar pasi varka e tyre e peshkimit u përmbys.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur pranë qytetit të Pylos në Greqinë jugore, sipas rojës bregdetare të mërkurën e 14 qershorit.

Një operacion i madh kërkim-shpëtimi është nisur.

Gjithsej 104 persona janë shpëtuar deri më tani, sipas autoriteteve që vlerësojnë se mbi 400 pasagjerë ishin në bord kur anija u fundos.

Sakaq, autoritetet kanë bërë me dije se të mbijetuarit janë dërguar në qytetin e Kalamatas.

Autoritetet kanë frikë se numri i viktimave do të rritet, pasi besohet se në varkë ndodheshin rreth 500 persona.

Ndërkohë, mësohet se të shpëtuarit po transportohen me një anije aty pranë në Kalamata, ku pritja e tyre është organizuar në bashkëpunim me Sekretariatin e Përgjithshëm të Mbrojtjes Civile.

Katër persona janë transportuar me një helikopter të Forcave Ajrore, ku janë marrë me autoambulanca dhe janë dërguar në Spitalin e Përgjithshëm të Kalamata-s.

Greqia është një nga rrugët kryesore për në Bashkimin Evropian për refugjatët dhe emigrantët nga Lindja e Mesme, Azia dhe Afrika.

Shumica kalojnë në ishujt grekë nga Turqia e afërt, por një numër në rritje varkash gjithashtu ndërmarrin një udhëtim më të gjatë dhe më të rrezikshëm nga Turqia në Itali nëpërmjet Greqisë.

Rreth 72 mijë refugjatë dhe emigrantë kanë mbërritur deri më tani këtë vit në vendet e vijës së parë të Evropës, Itali, Spanjë, Greqi, Maltë dhe Qipro, sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, me shumicën që zbarkojnë në Itali.

Lajmi në përditësim…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore