Lajme

Dështimi i “trurit të kthyer” – Latifi s’është as i informuar për problemet e shëndetësisë në Kosovë


Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.

Me shumë pompozitet dhe si një profesionist i arrirë u prezantua Rifat Latifi, kur mori postin e Ministrit të Shëndetësisë në Kosovë.

“Me ngritjen e kapaciteteve njerëzore si dhe kthimin e trurit të larguar tash e 20 vjet nga Kosova, do të parandalohet largimi i pacientëve tanë për në vendet në rajon dhe kështu këtë investim shtetëror dhe individual në spitalet e huaja i kthejmë në shtëpinë tonë dhe modernizojmë spitalet tona”, ishte një nga deklaratat e tij më 16 nëntor kur morri postin e ministrit të Shëndetësisë.

Por, pas pesë muajve të udhëheqjes së këtij dikasteri, i vetmi “tru” që ka kthyer Latifi është i vetë atij, meqë erdhi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Prandaj, kritika të shumta ndaj ministrit janë drejtuar si nga shoqëria civile, ashtu edhe nga opozita.

Ministria e Shëndetësisë.

Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës si dhe anëtari i Komisionit për Shëndetësi, Shemsedin Dreshaj, në një bisedë për Albanian Post, u shpreh se ministri Latifi deri tani nuk ka bërë ndonjë hap evident lidhur me menaxhimin praktik të situatës së shëndetësisë në vend.

“Ministri i Shëndetësisë ka shumëçka që duhet bërë, duke filluar nga organizimi shëndetësor, nga sigurimet shëndetësore nga pagat e mjekëve dhe të infermierëve, pra ka shumë çka që duhet të reflektohet në mënyrë të drejtpërdrejt që qytetari i vendit ta kuptojë që kjo qeverisje e ka seriozisht ose e merr seriozisht problemin e shëndetësisë”, ka thënë Dreshaj për AP.

Ai tutje ka theksuar tre hapa të rëndësishëm që luajnë rol në përmirësimin e situatës aktuale të shëndetësisë.

“Hapi i parë që duhet të marrët është riorganizimi i shëndetësisë, hapi i dytë që duhet të merret janë sigurimet shëndetësore, hapi i tretë që duhet të merret është rregullimi i pagave në shëndetësi”.

Protesta e sindikates se Infermierëve të Kosovës.

Në anën tjetër, njohësi i fushës së Shëndetësisë, Bujar Vitija në një prononcim për Albanian Post konsideron se edhe planprogrami i ministrit Latifi për të bërë më shumë në këtë drejtim vazhdon të jetë i paqartë.

“Ministri Rifat Latifi i ka bërë më shumë se 100 ditë punë prej se është emëruar në këtë pozitë dhe ende nuk kemi pa një planprogram të qartë të tij se cilat do të jenë veprimet për të përmirësuar dhe reformuar sistemin shëndetësor në Kosovë”, deklaroi ai për Albanian Post.

Latifi para se të merrte këtë pozitë, ishte profesor në Universitetin e Arizonës, sipas Vitijës shfaqjet e tij mediatike kanë vazhduar të jenë të ngjashme me atë të ligjëruesit.

“Fatkeqësisht në të gjitha paraqitjet e tij ku ka folur për prioritetet, në fakt më shumë ka folur si ligjërues sesa si ministër. Ne kemi probleme bazike dhe elementare të sistemit shëndetësor, dhe ende nuk e dimë se si do të arrijë Latifi t’i zgjidhë ato. Aktualisht Ministria e Shëndetësisë nuk e ka një strategji për përmirësimin dhe avancimin e shërbimeve shëndetësore”.

Ai madje e argumenton mos punën e ministrit duke e bazuar në premtimet që ai ka bërë.

“Për shembull Latifi, ka thënë se deri në vitin 2023 Kosova do të bëhet me sigurime shëndetësore. Kjo është e pamundur, së paku me trendin që është duke u punuar tani si dhe duke e pas parasysh se procesi i sigurimeve shëndetësore është në pikën zero”.

Fondi i Sigurimit Shëndetësor.

Ndër të tjera, për problemet që sistemi shëndetësor ka Latifi nuk duket që është mjaft mirë i informuar.

“Andaj konsideroj se Latifi duhet ta marr më shumë seriozisht rolin e tij si ministër, të njoh më shumë sistemin shëndetësor, legjislacionin, problemet dhe ambientin në të cilin punohet në ministri, për të kuptuar më mirë problemet me të cilat përballemi dhe të gjendet zgjidhje për to”.

Pakënaqësi rreth udhëheqjes së Latifit kanë shprehur edhe Specializantët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, kështu duke e parë si opsion të vetëm daljen në rrugë dhe protestimin.

Emërimin e ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi e kishte bërë të ditur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Unë si kryeministër sapo kam nënshkruar vendimin për ministrin e ri të shëndetësisë, i cili do të jetë Profesor Doktor Rifat Latifi, që erdhi nga New York në Prishtinë”, është shprehur Kurti, teksa ka treguar edhe për profesionalizmin e Latifit.

Në konferencën e tij të parë si Ministër, Latifi i sapo emëruar i shëndetësisë, ka premtuar se ai vetë dhe ekipi i tij do të angazhohen në ngritjen e standardeve mjekësore duke e ngritur edukimin dhe trajnimin e të gjithë punëtorëve shëndetësor.

Në vitin 2009, Latifi ishte emëruar këshilltar për shëndetësi nga kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi.

Ai vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku suksesshëm zhvillon profesionin e tij prej mjeku. Megjithatë, prejse ka ardhur ka pasur kritika për të.

Mos-qëndrimi në kohë të plotë në Kosovë ka bërë shumë kë të pyes nëse ai është i dedikuar mjaftueshëm në punën e ministrit meqë ndanë jetën mes Kosovës e Amerikës.

Latifi në anën tjetër i ka siguruar të gjithë se varësisht ku gjendet fizikisht ai punën e bën njëjtë.

“Takimet i bëj edhe online”, pati deklaruar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore