Lajme

“Dështim në ekonomi, katrahurë në diplomaci, kapje e shtetit nga partia”, thotë Tahiri për vitin 2023


Shefi i grupit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri.

“Dështim në ekonomi, katrahurë në diplomaci, kapje e shtetit nga partia, izolim në procese evropiane, dobësim të shtetit e sovranitetit dhe varfëri gjithandej”, kjo është diagnoza e vitit 2023 sipas shefit të grupit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri.

Tahiri, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se Kuvendi i përmbylli punimet për këtë vit, por që kishte vetëm dështime.

“Shumica parlamentare dha gjithçka që temat madhore dhe të cilat kërkojnë lidership të mos ecin asnjë hap. Komfort zona e 51 përqindëshit punoi ad-hoc, dështoi pa kuorum, i duartrokiti liderit suprem, kaloi ligje kundërkushtetuese pa debat e transparencë, ushtroi presion mbi opozitë dhe kujtoi që do ta qes jashtë loje Gjykatën Kushtetuese, për t’i grahur drejt autokracisë”.

“Dështimet gjithnjë u mundua t’i kalojë në heshtje”, ka shkruar ai.

Të premten e 15 dhjetorit, Kuvendi i Kosovës i përmbylli seancat për vitin 2023.

Në këtë seancë deputetët miratuan në lexim të dytë Projektligjin për Fondin Sovran.

62 deputetë të pushtetit, votuan pro këtij projektligji, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Si pjesë e projektligjit për Fondin Sovran në lexim të dytë u përfshin 47 amendamente.

Sipas ekzekutivit, Fondi Sovran do të jetë një mekanizëm i ri dhe efektiv për orientimin e investimeve, përmirësimin e qeverisjes korporative, ngritjen e konkurrueshmërisë dhe cilësisë, rritjen e shkathtësive dhe të punësimit, si dhe eliminimit të keqpërdorimit dhe korrupsionit në sektorin e ndërmarrjeve publike.

Për këtë projektligj kritikues dhe kundër votimit të tij kanë qenë opozita.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore