Lajme

Derisa vdekja të mos na ndajë…


Një sherif në pension i Ohio-s dhe partneri i tij i vogël, katërputroshi i njësisë K-9 ndërruan jetë në të njëjtën ditë. Sherifi i qarkut të Ohio-s dhe “kolegu” i tij i policisë ishin të pandashëm, jeta e tyre ndërthurej gjithë kohës.

Duket e arsyeshme që Sherifi i Qarkut Geauga, Dan McClelland, 67 vjeç, dhe partneri i tij në luftën kundër krimit Midge, 16 vjeç, të dy do të vdisnin të mërkurën e 14 prillit. McClelland ndërroi jetë në një spital pas një beteje të gjatë me kancerin dhe Midge, disa orë më vonë në shtëpi, mbase me zemër të thyer.

McClelland doli në pension në fund të 2016 pas 13 vitesh si sherif në këtë qark gjysmë-rural në lindje të Cleveland-it. Ai kaloi 44 vjet gjithsej në Zyrën e Sherifit të Qarkut Geauga dhe një dekadë përkrah Midge, një përzierje terrier Chihuahua që nuhaste drogë. Midge ishte certifikuar nga Rekordet Botërore të Guinness në vitin 2006 si qeni më i vogël i policisë në glob.

Ai dhe Midge, por sidomos Midge, ishin të famshëm në Geauga County. Kudo që shkonte McClelland, Midge ishte pranë tij. Në zyrë, ajo dremiste në një shtrat qenushash pranë tryezës së tij. Nxënësit e shkollës entuziazmoheshin gjatë vizitave të tyre.

Pasardhësi i McClelland, Sherif Scott Hildenbrand, kujton ngasjen e një makine golfi me McClelland dhe Midge në vendin e pasagjerit në Panairin e Madh të Qarkut Geauga. Ai tha se ishte një udhëtim i ngadaltë ndërsa njerëzit vërshonin tek ata, për të përkëdhelur Midge-n.

Togeri i pensionuar John Hiscox, një zëdhënës i vjetër për zyrën e sherifit, e shprehu në këtë mënyrë: “Ishte si të shihnit Elvis Presley në mes të rrugës”.

Pavarësisht nga madhësia e saj, Midge nuk ishte aspak e dobët kur bëhej fjalë për punën e saj. Ishte McClelland ai që vendosi që Midge të bëhej një qen ideal që të nuhaste drogën.

Ndryshe nga qentë e mëdhenj dhe më agresivë të policisë, Midge me sjellje e saj do të kontrollonte automjetet pa grisur tapiceritë ose pa lënë gjurmë baltë. Kërkimi nën automjete nuk ishte kurrë problem.

Familja shtoi se McClelland dhe Midge do të varrosen së bashku.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore