Lajme

Dërgimi i koncept-dokumentit të Vettingut në Komisionin e Venecias – hap i duhur


Ilustrim

Dërgimi i koncept-dokumentit për procesin e Vettingut në Komisionin e Venecias, po konsiderohet si hap i denjë nga njohësit e çështjeve juridike.

Kjo pasi që, verdikti i këtij komisioni do të largojë dilema në lidhje me pasojat juridike që mund t’i prodhojë ky proces. Megjithatë, Ministria e Drejtësisë nuk duhet të merr për bazë vetëm rekomandimet e këtij komisioni.

Të mërkurën e tre nëntorit, Ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu, pati njoftuar se koncept-dokumenti për Vettingun është dërguar në komisionin e Venecias.

Sipas juristit Artan Qerkini, dërgimi i koncept-dokumentit për Vetting, në komisionin e Venecias do të bëjë që i njëjti të trajtohet në disa pikëpamje.

“Dërgimi i koncept-dokumentit në Komisionin e Venecias është hap i duhur, sepse ky dokument do të trajtohet në shumë dimensione dhe për rrjedhojë Komisioni i Venecias do t’i heq shumë dilema të cilat ekzistojnë në lidhje me pasojat juridike që mund t’i shkaktojë ky proces”, është shprehur Qerkini për Albanian Post.

Artan Qerkini, Jurist

Në anën tjetër, Yll Zekaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, në një prononcim për AP ka thënë se Ministria e Drejtësisë “nuk duhet të vet mjaftohet vetëm me rekomandimet në procesin fillestar të Vettingut”.

Sipas tij, kërkesat në drejtim të Komisionit të Venecias duhet të jenë të vazhdueshme përgjatë tërë procesit të Vettingut.

“Të vazhdojnë kërkesat për secilën çështje e cila mund të ngreh dyshime nëse janë apo jo në linjë me standardet më të mira ndërkombëtare dhe ti zbatojë të njëjtat me qellim që i tërë procesi i Vettingut të realizohet në përputhje me standardet ndërkombëtare”, shtoi ai.

Por, kundër këtij procesi është paralajmëruar edhe ankesë në Gjykatën Kushtetuese në rast se për jetësimin e të njëjtit do të duhen ndryshime në amendamentet kushtetuese.

Yll Zekaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, ka thënë se Ministria që nisi punimet edhe për ndryshime kushtetuese, nuk ka bazë profesionale.

Ndërkaq, Zekaj ka potencuar se Ministria e Drejtësisë “duhet të ketë kujdes që në procesin e ndryshimeve kushtetuese, këto ndryshime të propozuara të mos bien ndesh me kapitullin e dytë të Kushtetutës që ka të bëjë me të drejtat dhe liritë themelore”.

Sipas Zekajt, nëse Gjykata Kushtetuese vlerëson se amendamentet e propozuara nuk bien ndesh me kapitullin II të Kushtetutës dhe nëse të njëjtat aprovohen në Kuvend, mundësia për të paraqitur ankesë në Gjykatën Kushtetuese është vetëm pas aprovimit të Ligjit për Vettingut.

“Nëse ky Ligj do të draftohet në harmoni me Kushtetutën dhe ndryshimet e saj nuk e shohim që mund të këtë minim të këtij procesi”.

Çka thuhet në Kushtetutën e Kosovës sipas nenit 113, paragrafi nëntë?

Kur ndryshimet kushtetuese përgatiten nga grupi punës dhe përmes Qeverisë së Kosovës dërgohen në Kuvend, Kryetari i Kuvendit të Kosovës obligohet që të referojë amendamentet kushtetuese të propozuara para miratimit në Kuvend, me qëllim që të konstatohet nëse amendamenti i propozuar i zvogëlon të drejtat dhe liritë e garantuara me kapitullin II të Kushtetutës.

Pas aprovimit të ndryshimeve kushtetuese, draftimi i Ligjit për Vettingun duhet të jetë gjithashtu në përputhje me kushtetutën duke përfshirë edhe ndryshimet, të cilat pas miratimit janë pjesë përbërëse e Kushtetutës.

Çka parasheh koncept-dokumenti për Vetting?

Ky proces synon që brenda pesë viteve të zhvillohet në tri faza.

Faza e parë do të përfshijë të gjithë anëtarët e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, pesë anëtarë të Gjykatës Supreme dhe kryeprokurorin e shtetit.

Në fazën e dytë të procesit do t’i nënshtrohet Gjykata Supreme në tërësi dhe prokurorët në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Po ashtu në fazën e dytë procesit do t’i nënshtrohen edhe zyrtarët në pozita të larta drejtuese brenda sistemit si administratorët e gjykatave dhe prokurorive, drejtorët e sekretariateve si dhe drejtori i Njësisë për Inspektim Gjyqësor në KGJK.

Gjatë kësaj faze do të zhvillohet procesi i rekrutimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj si parapërgatitje për fazën e tretë.

Ndërsa në fazën e tretë të Vettingut do t’i nënshtrohen gjyqtarët mbikëqyrës të degëve pastaj gjyqtarët dhe prokurorët e gjykatave dhe prokurorive themelore.

Koncept dokumenti për Vettingun ka paraparë që pozitat e lira pas shkarkimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk kanë kaluar Vettingun do të hapet konkurs për emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj.

Gjyqtari ose prokurori ka të drejtë që ndaj vendimit për shkarkim të paraqesë ankesë brenda 15 dite në Gjykatën Supreme, e cila lidhur me këtë ankesë duhet të vendosë brenda 30 ditësh.

Koncept dokumenti i Vettingut parasheh se nga momenti i propozimit për shkarkim e deri te shkarkimi përfundimtar i gjyqtarit ose prokurorit, koha e mbylljes se procedurës duhet të përfundojë brenda 75 ditësh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore