Lajme

Deputeti spanjoll kërkon njohjen e Kosovës


Aitor Esteban

Aitor Esteban, Deputeti i Dhomës së Ulët në Kongresin e Deputetëve në Spanjë, në mbledhjen e së mërkurës të Kuvendit Spanjoll ka kërkuar nga Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, që ta njoh Kosovën njëherë e përgjithmonë.

Sipas Esteban, Spanja de facto e ka pranuar subjektivitetin e Kosovës pasi ka pranuar të luaj zyrtarisht një ndeshje futbolli me kombëtaren e saj.

“Sa i përket Kosovës, njiheni sepse veç ka pasur ndeshje futbolli tashmë”, ka thënë ai në Kuvend, raporton portali i lajmeve spanjolle, europa press.

Sipas tij Spanja nuk duhet të frikësohet as nga ndarjet duke iu referuar kërkesave të vazhdueshme për pavarësi të dy komuniteteve autonom, pra asaj të Katalonjës dhe Baskë.

“Ajo që duhet të ndodh do të ndodh”, ka shtuar Esteban.

Kryeministri i Spanjës Pedro Sanchez dhe Deputeti spanjoll Aitor Esteban

Spanja si pjesë e Bashkimit Evropian është njëra ndër pesë shtetet mos njohëse të pavarësisë së Kosovës së bashku me Qipron, Sllovakinë, Rumaninë dhe Greqinë.

Kosova e Spanja në futboll janë përballur në kualifikimet për Botërorin “Katari 2022”, në ballafaqim që është përcjellë me shumë polemika pasi që Spanja, duke refuzuar ta njohë Kosovën, ka refuzuar edhe përmendjen e termit shtet duke e quajtur atë territor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore