Lajme

Deputeti shqiptar në Mal të Zi thotë se kanë filluar negociatat për formimin e qeverisë së re malazeze


Genci Nimanbegu

Bartësi i Listës “Aleanca Shqiptare” – partia shqiptare në Mal të Zi – Genci Nimanbegu, ka bërë të ditur se partitë politike të pakicave në Mal të Zi kanë filluar negociatat për formimin e qeverisë së re me liderin e lëvizjes “Evropa Tani”, njëherësh fituesin e zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit, Milojko Spajiç.

“Partitë e pakicës kanë filluar negociatat me Spajiç-in”, ka thënë Nimanbegu, transmeton media malazeze “CaffedelMontenegro”.

Në zgjedhjet parlametare të 11 qershorit nuk pati fitues të qartë, e para doli lëvizja qytetare “Evropa Tani”, duke marrë 23 deputetë nga 81 gjithsej, çka e bënë të pamundur që qeverinë ta formojë e vetme, për shkak se për ta formuar qeverinë duhet që t’i ketë më së paku 41 deputetë.

Shqiptarët në parlamentin malazez do të përfaqësohen me tre deputetë, përkatësisht dy mandate i ka fituar “Forumi Shqiptare”, i kryesuar nga kryetari i komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, dhe një deputetë ka arritur që ta marrë edhe “Aleanca Shqiptare”, e drejtuar nga Genci Nimanbegu.

Ndërsa, Nimanbegu, pasi konfirmoi negociatat me Spajiç-in, shtoi se “puna parlamentare e përfaqësuesve të partive që përfaqësojnë pakicat kombëtare në Mal të Zi ka treguar se vendi është në rrugën evropiane dhe euroatlantike”.

Tutje, deputeti i zgjedhur shqiptar në parlamentin malazez theksoi se “plani është që të rinovohet memorandumi i partive minoritare për negociata të përbashkëta për pjesëmarrje në Qeveri”.

“Partia Demokratike e Socialistëve (që ishte e udhëhequr deri para dy muajve nga ish-presidenti malazez, Milo Gjukanoviç) nuk ka kapacitete të mjaftueshme për koalicione dhe është një partner i padëshirueshëm për shumë subjekte”, potencoi ai.

Nimanbegu komentoi edhe nismën rajonale “Ballkani i Hapur”, për të cilën beson se është një çështje “e pazgjidhur”, duke shtuar se “epiqendra e destabilizimit të marrëdhënieve në rajon është Beogradi”, dhe politika e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Në Beograd duket se mendojnë se konfliktet e viteve 1990 janë ngrirë dhe se në një kohë tjetër do të fillojnë disa procese dhe marrëdhënie ku do të shkojnë drejt qëllimit të tyre, që është krijimi i një ‘bote serbe’”, potencoi ai.

Siç thotë ai, Ballkani i Hapur “është një pikëpamje sipërfaqësore se do të zgjidhte problemet në rajon”.

Ndryshe, Milojko Spajiç – kryetari i Lëvizjes Evropa Tani, njëherësh fituesi i zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi në zgjedhjet e 11 qershorit, ka deklaruar se nuk do të ketë negociata për të formuar qeverinë e re me Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS) – që ka qenë e udhëhequr deri para dy muajsh nga ish-presidenti malazez, Milo Gjukanoviç – dhe Lëvizjen Qytetare URA, që udhëhiqet nga Dritan Abazovoviç, duke shtuar se ka filluar diskutimet jo formale me partitë pro-ruso-serbe.

“Ne nga Lëvizja Evropa tani kemi hyrë në politikë nga idealet, nga disa vlera dhe në atë mënyrë duam të veprojmë në politikë. Dikush që ka keqpërdorur burimet shtetërore dhe institucionet shtetërore nuk mund të jetë partneri ynë në qeveri dhe kaq”, tha Spajiç.

Por, bëri me dije se ai – i cili ishte edhe bartës i Listës në zgjedhjet e 11 qershorit – dhe partia e tij janë të hapur për bisedime me koalicionin “Për Ardhmërinë e Malit të Zi (ZBCG)”.

“Ne jemi të hapur për bisedime me Frontin Demokratik (ZBCG) dhe natyrisht, përveç pjesëmarrjes në pushtetin ekzekutiv, do të kërkojmë një masë kompromisi mes Frontit Demokratik (ZBCG) dhe pakicave, për sa i përket modaliteteve të pjesëmarrjen e pushtetit ekzekutiv”, shtoi ai.

Ndërkaq, kreu i Lëvizjes Evropa Tani potencoi se partia “Mali i Zi Demokratik” dhe partitë e pakicave që jetojnë në Mal të Zi, të cilët kanë fituar mandate deputetësh në zgjedhjet e 11 qershorit, janë partnerët e tyre prioritare dhe se do të hyjë në bisedime me ta dhe se shpreson në formimin e shpejtë të qeverisë, duke shtuar se “nuk do të shantazojë askënd”, por se, siç thotë ai “do të propozojë plan dhe program pune”.

I pyetur nëse është shantazhuar që nuk ka biseduar me Lëvizjen qytetare URA, ai theksoi se nuk kanë përjashtuar askënd nga negociatat, por “disa individë si Dritan Abazoviç (kryeministër në largim i Malit të Zi) dhe Filip Axhiç (ministër i Punëve të Brendshme në largim) janë përjashtuar nga negociatat pasi kanë keqpërdorur institucionet shtetërore”.

“Nëse Abazoviç dhe Axhiç kërkojnë falje publike për deklaratat e tyre dhe thonë se kanë folur të pavërteta në fushatë, unë mund të bisedoj me ta në nivel personal nesër pa asnjë problem. Parimet janë parime. Nuk është për shkak të një kujtese të keqe, është për abuzim të institucioneve shtetërore në fushatë. E bënë për sharmin politik. Kjo është diçka që ne nuk mund ta mbështesim”.

Fituesi i zgjedhjeve në Mal të Zi refuzon të bëjë koalicion me Abazoviç-in

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore