Lajme

Fituesi i zgjedhjeve në Mal të Zi refuzon të bëjë koalicion me Abazoviç-in


Dritan Abazoviç dhe Milojko Spajiç

Milojko Spajiç – kryetari i Lëvizjes Evropa Tani, njëherësh fituesi i zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi në zgjedhjet e 11 qershorit, ka deklaruar se nuk do të ketë negociata për të formuar qeverinë e re me Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS) – që ka qenë e udhëhequr deri para dy muajsh nga ish-presidenti malazez, Milo Gjukanoviç – dhe Lëvizjen Qytetare URA, që udhëhiqet nga Dritan Abazovoviç, duke shtuar se ka filluar diskutimet jo formale me partitë pro-ruso-serbe.

“Ne nga Lëvizja Evropa tani kemi hyrë në politikë nga idealet, nga disa vlera dhe në atë mënyrë duam të veprojmë në politikë. Dikush që ka keqpërdorur burimet shtetërore dhe institucionet shtetërore nuk mund të jetë partneri ynë në qeveri dhe kaq”, tha Spajiç, transmeton media malazeze “Vijesti”.

Por, bëri me dije se ai – i cili ishte edhe bartës i Listës në zgjedhjet e 11 qershorit – dhe partia e tij janë të hapur për bisedime me koalicionin “Për Ardhmërinë e Malit të Zi (ZBCG)”.

“Ne jemi të hapur për bisedime me Frontin Demokratik (ZBCG) dhe natyrisht, përveç pjesëmarrjes në pushtetin ekzekutiv, do të kërkojmë një masë kompromisi mes Frontit Demokratik (ZBCG) dhe pakicave, për sa i përket modaliteteve të pjesëmarrjen e pushtetit ekzekutiv”, shtoi ai.

Ndërkaq, kreu i Lëvizjes Evropa Tani potencoi se partia “Mali i Zi Demokratik” dhe partitë e pakicave që jetojnë në Mal të Zi, të cilët kanë fituar mandate deputetësh në zgjedhjet e 11 qershorit, janë partnerët e tyre prioritare dhe se do të hyjë në bisedime me ta dhe se shpreson në formimin e shpejtë të qeverisë, duke shtuar se “nuk do të shantazojë askënd”, por se, siç thotë ai “do të propozojë plan dhe program pune”.

I pyetur nëse është shantazhuar që nuk ka biseduar me Lëvizjen qytetare URA, ai theksoi se nuk kanë përjashtuar askënd nga negociatat, por “disa individë si Dritan Abazoviç (kryeministër në largim i Malit të Zi) dhe Filip Axhiç (ministër i Punëve të Brendshme në largim) janë përjashtuar nga negociatat pasi kanë keqpërdorur institucionet shtetërore”.

“Nëse Abazoviç dhe Axhiç kërkojnë falje publike për deklaratat e tyre dhe thonë se kanë folur të pavërteta në fushatë, unë mund të bisedoj me ta në nivel personal nesër pa asnjë problem. Parimet janë parime. Nuk është për shkak të një kujtese të keqe, është për abuzim të institucioneve shtetërore në fushatë. E bënë për sharmin politik. Kjo është diçka që ne nuk mund ta mbështesim”.

Ndryshe, ditëve të fundit, Spajiç ka qenë në qendër të aferës rreth lidhjes së dyshuar me shtetasin e arrestuar të Koresë së Jugut Do Kwon, i dyshuar për përvetësim të dhjetëra miliarda dollarëve përmes tregtimit të kriptomonedhave.

Do Kwon u arrestua më 23 mars në aeroportin e Podgoricës, teksa po përpiqej të largohej nga aty me një fluturim për në Dubai. Ai u arrestua me një urdhër të Koresë së Jugut dhe kërkohet nga SHBA-të dhe Singapori. Ai ndodhet në burg në afërsi të Podgoricës, ndërsa vazhdimi i gjykimit është caktuar për 16 qershor.

Kryeministri me mandatin teknik në Mal të Zi, Dritan Abazoviç, pretendon se ekziston mundësia që fushata e Lëvizjes Evropa Tani është financuar me para të kriptovalutave, por Spajiç mohon akuza të tilla.

Ndërsa, sipas rezultateve preliminare të Qendrës për Monitorim dhe Kërkim (CeMI), lëvizja centriste “Evropa Tani” që udhëhiqet nga Milojko Spajiç, ka fituar rreth 26 për qind të votave (23 mandate), bazuar në mbi 90 për qind të mostrave të përpunuara.

Koalicioni opozitar “Së bashku” i udhëhequr nga Partia e Demokratike Socialistëve, Socialdemokratët, Bashkimi Demokratik i Shqiptarëve dhe Partia Liberale ka fituar rreth 23 për qind të votave (21 mandate), kurse koaliconi “Për të ardhmen e Malit të Zi” i udhëhequr nga Demokracia e Re Serbe rreth 15 për qind (14 mandate).

Koaliconi “Guximi numërohet” i udhëhequr nga Demokratët e Aleksa Beçiçit dhe Lëvizja Qytetare URA e kryeministrit në detyrë Dritan Abazoviç ka arritur të fitojë rreth 13 për qind (12 mandate), sipas rezultateve preliminare të publikuara të dielen mbrëma nga CeMI.

Nga 81 vende deputetësh nga sa numëron Kuvendi i Malit të Zi, fatin e tyre në zgjedhje e provuan edhe dy lista të shqiptarëve. Forumi Shqiptar i udhëhequr nga Nik Gjeloshaj ka arritur të fitojë rreth 2 për qind të votave (2 mandate), ndërsa Aleanca për Shqiptarët e Genci Nimanbegut ka fituar rreth 1.5 për qind (1 mandat).

Sondazhet dhe analistët veçse e kishin parashikuar se “Evropa Tani” që drejtohet nga eksperti financiar Milojko Spajiç dhe presidenti aktual Jakov Milatoviç, do të dalë e para, por pa mandatet e mjaftueshme në Kuvendin e Malit të Zi për ta formuar e vetme ekzekutivin malazez.

Më shumë se 542 mijë qytetarë kanë pasur të drejtë të zgjedhin mes 15 partive dhe kandidatëve prej grupeve pro-perëndimore e deri te ato pro-serbe dhe pro-ruse, ndërsa këto zgjedhje ishin të parat në më shumë se 30 vjet, në të cilat nuk mori pjesë Milo Gjukanoviç – udhëheqësi më jetëgjatë në rajon.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore