Lajme

Deputeti i VV-së, Fatmir Humolli: Veteranët s’duhet të përjashtohen nga paga minimale – ky është diskriminim


Fatmi Humolli, Deputet i VV-së dhe Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës

Ishte deputeti i vetëm nga mazhoranca që votoi kundër diskutimit të pagës minimale në seancën e Kuvendit të Kosovës këtë të hënë.

Fatmir Humolli, ngriti dorën “për”, mocionit të PDK-së, të propozuar nga shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri që ky projektligj, me veteranët e luftës jashtë saj, të mos diskutohet në Kuvend.

“Nuk ka çka të diskutohet këtu, veteranët nuk duhet të përjashtohen nga paga minimale dhe prandaj kam votu”, ka thënë prerazi, Fatmir Humolli, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, në një prononim për Albanian Post.

“Tendenca e kujtdo qoftë që do t’i largoj veteranët nga paga minimale, është diskriminim”, vazhdoi më tej Humolli duke rikujtuar një fakt tjetër që këta ish luftëtarë u detyruan të tërhiqen nga tregu i punës, për të gëzuar të drejtën e marrjes së pensionit të veteranit.

“Kur dihet që nga viti 2011 i kanë lanë pa punë duke ju thënë që nuk bën me punu diçka tjetër, e tash është shumë e vërtetë që i kanë heqë nga tregu i punës. Tash ajo pjesa dërmuese e tyre i kanë bërë mbi 50 vjet e që në tregun e punës e kanë shumë vështirë me hy”, tha Humolli për Albanian Post.

“Kjo është një diskriminim”, ri-përsëriti Humolli, “pos diskriminimit është edhe një mesazh i keq për ata që luftojnë për vend”.

Deputeti i Vetëvendosje është i bindur që përfshirja e veteranëve në ligjin e pagave nuk e dëmton asgjë buxhetin e Kosovës.

“Kjo nuk e dëmton asgjë buxhetin e Kosovës, duke parë shpenzimet enorme që bëhen në punë nganjëherë edhe pa nevojë”, ka përfunduar ai.

Veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, këtë të hënë Protestuan para Kuvendit të Kosovës për të kërkuar tërheqjen e shqyrtimit të projektligjit për pagën minimale në Kosovë, pa i përfshirë edhe ata në të.

Në ndërkohë situata eskaloi dhe nga sheshi “Skënderbeu”, ku filloi protesta, fare pranë objektit të Kuvendit, ata hynë brenda oborrit duke tentuar të futen brenda në hapësirat e Kuvendit.

Por si çdo herë, ishte Policia e Kosovës ajo që e ndaloi këtë veprim.

Për të qetësuar veteranët e revoltuar, masës doli që t’i flas deputeti i PDK-së, Hisen Berisha.

Ai kërkoi që veteranët të mos dëmtojnë asgjë dhe të mos konfrontohen me policinë.

Çka çoi në protesta?

Kryeministri Albin Kurti

Pensionet e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë 170 euro. Kjo shumë do të mbetet po kaq edhe kur Qeveria e Kosovës të rrisë pragun e pagës minimale në mbi 250 euro siç është paralajmëruar.

Rrjedhimisht, pensioni i ish-luftëtarëve në Kosovë nuk barazon as pagën minimale në vend, prandaj Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së po organizon protesta në Prishtinë.

Të mbeten në këtë shifër si pension mujor, nga OVL është konsideruar si “diskriminim që po iu bëhet veteranëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për emisionin Desku, pat deklaruar se veteranët nuk e meritojnë pagën minimale.

“E meritojnë shpërblimin për kontributin, por jo pagën minimale. Paga minimale merret prej punës. Paga minimale nuk është dekoratë”, pat thënë kryeministri.

Përveçse veteranët janë lënë nën pagën minimale, kryeministri ka deklaruar se ka problem edhe me numrin aktual.

Janë zyrtarisht rreth 60 mijë veteranë të luftës, por Kurti refuzon ta pranojë këtë numër.

Për të janë më pak, shumë më pak, trefish më pak.

“Duhet t’i bëjmë evidencat e sakta. Nuk janë 60 mijë veteranë. Nuk janë. Nëse dikush dëshiron ta gënjejë vetveten, nuk mund të më gënjejë mua”, thoshte Kurti.

Për kryeministrin, në rastin më të mirë, “janë 20 mijë veteranë”.

Ai pati shtuar se duhet të gjenden mënyra se si të luftohen këto deformime.

Por, Dardan Molliqaj, kryetar i Partisë Socialdemokrate, ish-bashkëpartiak i Kurtit dhe përkrahës i kërkesës së veteranëve, ka deklaruar se kryeministri nuk e ka me shifrën e parave, por me vetë veteranët.

“Veteranët don t’i lë edhe nën pagën minimale. Sepse nuk i do. Sepse kurrë s’e deshi luftën e tyre”, ka shkruar Molliqaj në Facebook, ku edhe ka treguar se “nesër do të protestoj bashkë me veteranët e UÇK-së që shteti i braktisi”.

Përndryshe, vetë kryeministri Kurti është i shpallur veteran i luftës së UÇK-së.

Debat i madh ishte bërë për këtë shpallje të tij si veteran, meqë Kurti nuk kishte qenë asnjëherë në vijën e frontit, por ata që e mbështetën në aludimin se ka qenë pjesë e luftës, argumentonin se ai konsiderohet veteran pasi ka shërbyer në zyrën e UÇK-së në Prishtinë, e cila udhëhiqej nga veprimtari Adem Demaçi.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore