Lajme

Deputetët e Malit të Zi mezi e kalojnë kufirin me Serbinë, i ndalojnë për orë të tëra


Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi

Që nga kalimi i Rezolutës për Dënimin e Mohimit të Gjenocidit të Srebrenicës në Parlamentin e Malit të Zi, disa deputetë të këtij parlamenti janë bërë objekt ndalimi të tejzgjatur në pikë-kalime kufitare mes Malit të Zi dhe Serbisë – kjo nga autoritetet kufitare serbe.

Të dielën Kryetari i Partisë Boshnjake, Ervin Ibrahimoviç, tha se përjetoi “turpërim nga policia kufitare serbe, ku për më shumë se gjysmë ore, pa asnjë arsye, më kontrolluan dhe më ndaluan”.

Kur u adoptua kjo rezolutë, Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Aleksandër Vulin kishte bërë thirrje publike që “secili deputet qa ka votuar pro kësaj rezolute t’i ndalohet hyrja në Serbi”.

Partia Boshnjake u ankua se “sjellje e këtillë e Serbisë është treguese e qartë e qëndrimit të tyre kundër të gjithë qytetarëve të Malit të Zi”, ndërsa edhe ka akuzuar Qeverinë e Malit të Zi se “sjellje të këtilla të Serbiës kundrejt neve tregojnë se nuk keni kapacitetet për të ruajtur integritetin e legjitimitetit të përfaqësuesve të zgjedhur”.

Qeveria malaziase ndërkaq, në lidhje me këtë ka thënë vetëm se “përmes Ambasadës sonë në Beograd, ne zyrtarisht u kemi bërë thirrje autoriteteve të Republikës së Serbisë, dhe u kemi shprehur shqetësimin tonë për veprimet e policisë kufitare”.

“Trajtimi jo-korrekt i zyrtarëve që posedojnë pasaportë diplomatike”, ankohen deputet malaziasë, nuk përkon me “sjellje të hijshme diplomatike”.

Ndërkaq Ministria e Punëve të Jashtme ka shkruar se “aktivitetet e Ministrisë dhe misionet diplomatike dhe konzulare të Malit të Zi në mënyrë të vazhdueshme janë të përqendruara në ruajtjen e të drejtave dhe interesave të qytetarëve tanë në pajtim me kapacitetet institucionale dhe veprimet që të jenë në pajtim me ligjin ndërkombëtar, Konventën e Vienës dhe Marrëdhëniet Diplomatike të 1961-tës”, shkruan portali malazias Cdm.me

Përveç Ibrahimoviç, deputetët e tjerë të cilët janë bërë objekt ndalese në kufirin Mal i Zi-Serbi janë edhe Draginja Vuksanoviç, Bozhena Jellushiç, Suada Zoronjiç, Dragica Sekuliç, dhe Damir Sehoviç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore