Lajme

Departamenti i Shtetit: Ekspozimi i propagandës ruse në Ballkan do të vazhdojë


Ilustrim

Nga Departamenti amerikan i Shtetit kanë deklaruar se do të vazhdojnë të ekspozojnë përpjekjet e Rusisë për të minuar demokracitë botërore dhe të ofrojnë mbrojtje të vazhdueshme për vendet që janë të rrezikuara nga veprime të tilla.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë me aleatët dhe partnerët tanë në mbarë botën për të ekspozuar përpjekjet e ndikimit keqdashës të Rusisë dhe për të ndihmuar vendet e tjera të mbrohen kundër aktiviteteve të tilla”, thuhet në një përgjigje dhënë për mediumin boshnjak ‘Dnevni Avaz’.

Megjithëse nuk kanë pranuar të japin informacione shtesë lidhur me raportin që u publikua ditëve të fundit nga inteligjenca amerikane, kanë shprehur edhe njëherë shqetësimin e ShBA-ve duke theksuar se ndikimi rus është i një natyre të përgjithshme dhe se nuk ka të bëjë vetëm me vende të caktuara.

“Shqetësimi ynë për aktivitetet e Rusisë në këtë drejtim nuk ka të bëjë me një vend specifik, por është i një natyre globale, pasi ne vazhdojmë të përballemi me sfida të drejtuara kundër shoqërive demokratike”.

“Ne nuk do të hyjmë në informacione specifike të inteligjencës, por kemi qenë të qartë për shqetësimet tona për aktivitetet e Rusisë për të ndikuar në procesin demokratik në vende të ndryshme të botës”.

Një zyrtar i lartë i administratës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka publikur një pjesë të raportit të shërbimeve të inteligjencës amerikane, se që nga viti 2014, Rusia ka paguar më shumë se 300 milionë dollarë për partitë politike, zyrtarët dhe politikanët në më shumë se njëzet vende të botës – si pjesë e përpjekjeve të Moskës për të fituar ndikim jashtë vendit.

Në këtë raport, sipas burimit të ‘Zërit të Amerikës’, në listën e partive politike që kanë përfituar një shumë të konsiderueshme parash nga Rusia bënë pjesë edhe Partia Demokratike e Shqipërisë.

“Në Shqipëri pamë që në vitin 2017 Rusia i dha Partisë Demokratike rreth gjysmë milioni dollarë përmes kompanive që mbulojnë aktivitete të paligjshme”.

Financim nga Rusia ka pranuar edhe formacioni politik proserb ‘Fronti Demokratik’, i cili është duke negociuar për formimin e një qeverie të re në Mal të Zi.

“Bashkëpunëtorët e Oleg Deripaskas i dhanë fonde ‘Frontit Demokratik’ në vitin 2016 dhe ndoshta para zgjedhjeve të 2018-ës përmes kontratave joadekuate dhe kompanive ‘offshore’”.

Ngjashëm ka përfituar edhe anëtari i Presidencës trepalëshe në Bosnje dhe Hercegovinë, Millorad Dodik, të cilit iu është financuar fushata presidenciale.

“Komuniteti i inteligjencës ka shënuar një rritje të atij aktiviteti nga viti 2014 e deri më sot. Ndër shembujt e paraqitur, në Bosnje, përpara zgjedhjeve të 2018-ës, Konstantin Malofejev ndihmoi fshehurazi në financimin e fushatës presidenciale të Milorad Dodik”, kishte thënë një burim brenda administratës së ShBA-ve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore